Tiranë, 24 Qershor 2021 – Veprat penale të kryera nga të miturit në konflikt me ligjin vijojnë të përbëjnë një shqetësim për institucionet e drejtësisë dhe ekpertët e të drejtave të fëmijëve nmë Shqipëri. Vetëm gjatë viteve 2009-2018, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, 6081 të mitur të moshës 14-18 vjeç, janë gjykuar për kryerjen e veprave penale.
Vendi ynë, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë hapa në ndërtimin e një sistemi miqësor të drejtësisë penale për të miturit në konflikt me ligjin. Miratimi i Kodit të Drejtësisë për të Mitur dhe Strategjisë së Drejtësisë për të Miturit (2018-2021) kanë qenë dokumentat bazë që kanë kontribuar në këtë drejtim. Këto përpjekje sapo kanë filluar të japin efektin e tyre në parandalimin e kriminalitetit rinor dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin.
Për të analizuar të gjitha arritjet dhe mangësitë që janë vënë re në zbatimin e Strategjisë për të Miturit në Konflikt me Ligjin, ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri punuan për disa muaj për përgatitjen e Raportit që analizon zbatimin e Strategjisë, gjetjet e të cilës u prezantuan në tryezën e diskutimit të organizuar me këtë rast.
Tryeza “Raporti i Vlerësimit të Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur dhe modele pozitive të riintegrimit të të miturve në konflikt me ligjin”, solli përpara Ministrisë së Drejtësisë, TLAS, Drejtorisë së Burgjeve dhe Drejtorisë së Shërbimit të Provës, Policisë së Shtetit, përfaqësuesve të Këshillit të Europës, etj, gjetjet më të rëndësishme të evidentuara në Raport.
Raporti në tërësi evidenton zbatimin thuajse të plotë të objektivave dhe aktiviteteve të parashikuara në Strategji, duke çuar shqetësimin për mos-zbatimin e objektivit tre. Një tjetër problematikë që raporti evidenton është shkelja ose mosrepektimi nga ana e disa institucioneve e standarteve dhe procedurave të reja të drejtësisë për të mitur.
Znj. Iris Aliaj, këshilltare e Ministes së Drejtësisë, nënvizoi faktin se: “Vendi ynë ka bërë hapa përpara me miratimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, si dhe me hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së Drejtësisë spër të MItur dhe Planit të Veprimit. Në këtë kuadër, është punuar në mënyrë intensive që të ngrihet dhe të jetë funksionale Qendra për Parandalimin e Kriminalitetit të të Rinjve, e cila do t’i ndihmojë të miturit të cilët dalin nga Institucioni i Ekzekutimit të Veprave Penale të riintegrohen në shoqëri.”
Ekspertët e drejtësisë për të mitur të CRCA/ECPAT Shqipëri, që vijnë nga një eksperiencë mbi 25 vjecare në këtë fushë, prezantuan disa modele të rehabilitimit dhe ri-integrimit të të miturve në konflikt me ligjinm. CRCA/ECPAT Shqipëri që prej krijimit të saj ka mbështetur mbi 2000 fëmijë e të rinj që ta ndërtojnë jetën e tyre larg krimit dhe ndikimit të tij, me shërbime falas ligjore, psiko-sociale, arsimore dhe fuqizuese.
Drejtori Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, duke vlerësuar të gjitha përpjekjet e bëra nga institucionet shtetërore dhe Ministria e Drejtësisë për krijimin e një drejtësie sa më miqësore për të miturit, theksoi faktin: “Se gjetjet e ketij raporti duhet të shërbejnë si një nxitës shumë i mirë për hartimin e Strategjisë së re për të mitur.”
Rajmonda Bozo, Drejtoresha Ekzekutive e TLAS, ndau me pjesmarrësit faktin se: “ Edhe pse ky projekt nisi në një periudhë tepër të vështirë, siç ishin tërmeti dhe më pas pandemia, falë punës së jashtëzakonshme të organizatave ai po zbatohet me sukses duke sjellë një impakt pozitiv në forcimin e një drejtësie sa më miqësore për të miturit.”
Tryeza e diskutimeve përfshiu edhe prezantimin e disa prej praktikave të mira për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin.
Tryeza u zhvillua në kuadër të nismës “Shpresë për Fëmijët dhe të Rinjtë në Konflikt me Ligjin në Shqipëri”, që financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga TLAS në partneritet me Fondacionin Qendra Europiane në Shqipëri. Kjo nismë ka si qëllim të identifikojë, zhvillojë dhe promovojë shërbimet alternative, të bazuara në komunitet për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin, në mënyrë që të mbështetet zhvillimi pozitiv i tyre.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
crca@crca.al