Tiranë, 2 Qershor 2023 –Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri CRCA/ECPAT Shqipëri, prezantoi sot disa nga propozimet e saj kryesore për një mbrojtje më të mirë të fëmijëve dhe adoleshentëve nga krimet seksuale nga Kodi I ri Penal, në një takim me ekipin drejtues të përgatitjes së Kodit, të drejtuar nga Prof. Arben Rakipi. Propozimet përfshijnë dymbëdhjetë aspekte kryesore, të cilat fokusohen tek përputhshmëria e legjislacionionit tone penal me atë ndërkombëtar dhe me Acquis të Bashkimit Europian për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe krimet seksuale në internet dhe në jetën e përditshme.

Në Janar 2023, Ministria e Drejtësisë filloi nga puna për përgatitjen e Kodit Penal të ri në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar disa takime konsultuese ndërmjet institucioneve dhe organizatave që punojnë në fushën e zbatimit të legjislacionit penal për të diskutuar kapituj specifikë të Kodit, për të kaluar më pas në takime të ngushta në nivel ekspertësh.

CRCA/ECPAT Shqipëri ka një eksperiencë të gjatë në përmirësimet e kuadërit ligjor, përfshi edhe Kodin Penal. Në vitin 2003, CRCA propozoi përfshirjen e shitjes së fëmijëve në Kod, ndërsa në vitin 2013 propozimet e CRCA për kriminalizimin e dhunës fizike, definicionin e pornografisë së fëmijëve dhe shfrytëzimit të fëmijëve për punë u përfshinë në Kod. Ndërkohë që në lidhje me krimet seksuale, Kuvendi dhe deputetet kanë patur hezitime për rregullime të mëtejshme, ndonëse CRCA që prej vitit 2010 kishte kërkuar përfshirjen në Kod të krimeve të reja seksuale ndaj fëmijëve sidomos ato që ndodhin online.

Kodi i ri Penal është një mundësi shumë e mirë për të përfshirë në të të gjitha veprat penale në fushën e krimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, për të ofruar një mbrojtje më të mirë për ta. Po në këtë kuadër, propozimet e paraqitura nga CRCA/ECPAT Shqipëri e sjellin legjislacionin tonë të ri penal në një linjë me atë të BE-së si dhe të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës dhe të OKB-së.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

crca@crca.al


Detajet e Lajmit
June 7, 2023
853
Kategoria