Raporti alternativ i UPR për fëmijët dhe të rinjtë, u prezantua gjatë Raportimit Periodik Universal të OKB-së në Gjenevë. Varfëria, skllavëria dhe dhuna seksuale ndaj fëmijëve, emigrimi dhe papunësia e të rinjve ndër çështjet më shqetësuese të ngritura në raport.

Tiranë, 4 Prill 2019 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve– CRCA/ECPAT Shqipëri, prezantoi sot në mëngjes në Gjenevë, raportin alternativ periodik mbi gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, përpara Grupit të Punës të UPR të OKB-së në Gjenevë. Ky grup pjesë e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së merr në shqyrtim çdo 4 vjet situatën dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në çdo vend anëtar të saj.
Raporti i Rishikimit Periodik Universal (UPR), u përgatit nga një koalicion i gjerë i rrjeteve dhe organizatave kryesore kombëtare në Shqipëri, të përbërë nga: CRCA/ ECPAT Shqipëri, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri-ACE, Rrjeti Kombëtar Për të Rinjtë në Shqipëri -ANYN, Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë -ALO 116, Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri “Vepro për Fëmijët“. Raporti është përqëndruar te shkeljet dhe faktorët kryesorë lidhur me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri përgjatë një periudhe 4 vjeçare.
Raporti i UPR ndan disa fakte tepër shqetësuese për gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri:

Thuajse 20% e fëmijëve jetojnë në varfëri absolute,
77%e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës ndërsa 56% e fëmijëve janë viktima të bulizmit.
12%e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga një i rritur! Kjo ndodh në familje, në shkolla dhe institucionet e përkujdesit shoqëror.
Mbi2000 fëmijë gjenden në situatë rruge dhe skllavërie.
Vetëm 7.8% e fëmijëve me aftësi të kufizuar kanë akses në shërbime të specializuara.
50,000fëmijë në Shqipëri shfrytëzohen për punë!
Mbi 60% e fëmijëve raportojnë internet të pasigurt!

Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj në prezantimin e Raportit  theksoi se: “Sot CRCA Shqipëri ka ndarë publikisht në nivel global shqetësimet tona për situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në vend! Pavarësisht përmirësimeve që kanë ndodhur në ligje, ne ende shohim me shumë shqetësim që Qeveria Shqiptare është tepër larg respektimit dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve, sipas standarteve të OKB-së!”
Situata e arsimimit të fëmijëve në Shqipëri zuri një hapësirë tjetër në prezantimin e Raportit:

Përqindja e PBB-së për vitin 2018 arrin 2.9% të PBB-së.
 Më shumë se 100,000 fëmijë në Shqipëri, të cilët për shkak të kushteve të vështira ekonomike nuk kanë mundësi të barabarta për të ndjekur rregullisht si kolegët e tyre edukimin publik.
Pothuajse 28% e fëmijëve jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe janë nën kujdesin e ndihmës në para dhe më shumë se
50.000fëmijë që duhet të ndjekin arsimin e detyruar, detyrohen të punojnë.
Rreth 15,000 fëmijë shqiptarë janë jashtë shkollës;
Rreth 22% e fëmijëve romë që i përkasin grupmoshës 10-18 vjeç nuk kanë qenë kurrë në shkollë.
Rreth 43% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri nuk ndjekin arsimin parauniversitar publik.

Koordinatorja e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri, Linda Pino, nënvizoi se “Buxheti i shtetit nuk përmban thuajse asnjë zë për mbështetjen e shërbimeve miqësore për fëmijët dhe të rinjtë, që ata të mos përfundojnë viktima të dhunës seksuale, skllavërisë apo emigracionit të paligjshëm! Në këtë drejtim ne i kërkojmë publikisht Qeverisë që të rrisë buxhetin për arsimin dhe për shërbimet sociale për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri!”  Koalicioni për Arsimin në Shqipëri – ACE prej vitesh i ka kërkuar Qeverisë Shqiptare rritjen e buxhetit të arsimit të paktën 5% të GDP-së, për të arritur kështu standartet e vendeve të tjera të Europës.
Raporti UPR për herë të parë gjatë 12 vjetëve që Shqipëria raporton në UPR, fokusohet tek situata e të drejtave të të rinjve dhe të rejave. Shqipëria renditet si një nga vendet me shkallën më të lartë të papunësisë afatgjatë te të rinjtë. Buxheti Kombëtar për të rinjtë përfaqëson vetëm 0.01 % të buxhetit të përgjithshëm të shtetit. 79% e të rinjve, kërkojnë të largohen nga vendi, ndërsa 26 % e tyre janë të papunë. Kriminaliteti i të rinjve në vend ka ardhur në rritje dhe rrjedhimisht thuajse gjysma e të dënuarve janë të rinj nën moshën 29 vjeç, për shkak të varfërisë, mungesës së programeve, shërbimeve dhe qendrave për të rinjtë.
Përsa i përket situatës së të Rinjve në Shqipëri, Presidentja e ANYN Ervjola Osmanaj theksoi se “ Buxheti i Qeverisë Shqiptare për rininë në masën 0,01%, është i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e të rinjve në vend. Gjithashtu, mungesa e përspektivës, mbështetjes, shërbimeve dhe e punësimit rinor bën që 79% e të rinjve të kërkojnë të largohen përfundimisht nga Shqipëria.”
Shqipëria raporton në procesin e Rishikimit Periodik Universal (Universal Periodic Review – UPR) për të tretën herë radhazi. Qëllimi i procesit të raportimit është vëzhgimi nga afër i situatës së të drejtave të njeriut në çdo vend anëtar të OKB-së dhe dhënia e rekomandimeve për përmirësimin e saj.