
Tiranë 18 Shtator 2020 – Përmes kësaj Deklarate Publike, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon të shprehë shqetësimin e saj serioz për shkeljen e plotë të proçedurave ligjore përgjatë shoqërimit të një vajze 12 vjeçare në mjediset e Drejtorisë së Policisë Fier nga ana e punonjësve të policisë.
Tre ditë më parë në emisionin investigativ STOP të televizionit Klan u përcoll një situatë e pazakontë mbi shoqërimin dhe intervistimin të një vajze 12 vjeçare nga ana e policisë në qytetin e Fierit. Shkak i këtij shoqërimi ishte situata e krijuar mes 15 fëmijëve adoleshentë të cilët qarkullonin mes tyre foto të papërshtatshme të bashkëmoshatares së tyre 17 vjeçare. Pas indicieve të marra, policia ka ndërhyrë, ku ndër të tjera kanë ndaluar në rrugë dhe kanë shoqëruar për në Komisariat (sipas burimeve të medias) me makinë private edhe një minorene të moshës 12 vjeçare. Çdo veprim ndodhi pa prezencën e prindërve, avokatit apo edhe të psikologut/es, përfshi edhe intervistimin e fëmijës. Vajza dhe nëna e saj kanë treguar për mediat se gjatë gjithë kohës e mitura është intervistuar vetëm fare dhe madje është kërcënuar nga oficeri i policisë që e intervistonte.
CRCA/ECPAT Shqipëri shprehet vërtetë e indinjuar për mënyrën e komunikimit dhe sjelljen e punonjësve të policisë përkundrejt 12 vjeçares, të cilat janë në kundërshtim të hapur me parimet dhe përmbatjen e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve të OKB-së.
Sipas nenit 40 të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve “Shteti i njeh çdo fëmije të dyshuar, të akuzuar ose për të cilin është thënë se ka kryer shkelje të ligjit penal, të drejtën e një trajtimi të tillë, që zhvillon te fëmija ndjenjën e dinjitetit dhe të vlerës së personit, që përforcon tek ai ndjenjën e respektit të tij për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve dhe që merr parasysh moshën e fëmijës si dhe dëshirën për të ndihmuar në riintegrimin e tij në shoqëri dhe në mënyrë që ai të luajë një rol konstruktiv në gjirin e saj.”
Ndërkaq sërish në këtë nen, në paragrafin e dytë të tij, shpjegohet qartë se si duhet të jetë procesi juridik i shoqërimit dhe intervistimit të një mituri në organet e policisë. Saktësisht ky paragraf përcakton se i mituri duhet të prezumohet i pafajshëm deri sa të provohet pafajësia e tij ligjërisht; të informohet menjëherë dhe drejtpërdrejt për akuzat e ngritura kundër tij, nëse është e përshtatshme, me anë të prindërve të tij ose të përfaqësuesve ligjorë, dhe të ketë ndihmë juridike ose nga çdo ndihmë tjetër të duhur për përgatitjen dhe paraqitjen e mbrojtjes së tij; si dhe të mos detyrohet të dëshmojë ose të pohojë veten fajtor; të pyeten ose të bëjë të pyeten dëshmitarët e akuzës dhe të sigurojë paraqitjen dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes së tij, në kushte të barabarta.
Por shoqërimi 12 vjeçares në policinë e Fierit është kryer gjithashtu në shkelje të plotë të nenit 18 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, i cili detyron praninë e një psikologu përgjatë shoqërimit të të miturve. Bazuar në këtë nen, në çdo fazë të procedimit penal me të miturit në konflikt me ligjin, si dhe gjatë pyetjes së të miturit viktimë ose dëshmitar, pavarësisht nga mosha mbi ose nën 14 vjeç, prania e psikologut është e detyrueshme!
Gjithashtu sipas dëshmive të nënës së vajzës 12 vjeçare në këtë procedurë nuk kishte as edhe një psikolog/e për shoqërimin dhe intervistimin e të miturës, nga ana tjetër prania e psikologut/es dhe qëllimi i tij caktohen me ligj në bazë të Neneve 18 dhe 42 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur. Prania e një psikologu në të tilla procedura është e domosdoshme pasi ky i fundit eleminon frikësimin apo ndrojtjen e të miturit nga i gjithë proçesi. Fenomen ky që duket se u shkel “me të dyja këmbët” nga punonjësit e policisë të qarkut Fier, vetëm disa kohë më parë.
Nisur nga kjo ngjarje e përsëritur e dhunës institucionale nga ana e punonjësve të Policisë kundër fëmijëve dhe të miturve, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon hetime të menjëhershme dhe vendosjen para përgjegjësisë të çdo punonjësi përgjegjës të policisë, i cili shkel në mënyrë flagrante të drejtat e fëmijës dhe të miturit në proçesin penal.
Zhvillimi i një hetimi të brendshëm nga ana e Policisë për këtë ngjarje konsiderohet si tepër i rëndësishëm dhe i rekomandueshëm. Nga ana tjetër ne rekomandojmë trajnimin urgjent dhe mbarëkombëtar të të gjithë punonjësve të policisë që janë në kontakt me fëmijët apo të miturit në konflikt me ligjin, dëshmitarë apo edhe viktima të krimit, si për njohjen e mëtejshme me parimet dhe përmbajtjen e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, ashtu edhe për të praktikuar situatat e intervistimit, shoqërimit, izolimit apo mbrojtjes të të miturve kur ata janë nën kujdesin apo kontrollin e Policisë.