Prej 2 vjetësh një vendim i Këshillit Bashkiak të Tiranës shkel të drejtën kushtetuese të mbledhjes dhe tubimit paqësor për çdo qytetar, grupim qytetarësh apo OSHC

Tiranë, 21 prill 2021 – CRCA/ECPAT Shqipëri do të përballet më 29 Prill 2021 në një gjyq me Bashkinë e Tiranës. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve i është drejtuar Gjykatës Administrative Tiranë disa javë më parë, me një padi ndaj Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, e në mënyrë të veçantë të drejtën e mbledhjes dhe tubimit paqësor.
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligji për Tubimet garantojnë lirinë e mbledhjes dhe tubimeve paqësore. Por me sa duket kjo nuk ishte e mjaftueshme për Bashkinë Tiranë dhe Këshillin e saj Bashkiak, të cilët në vitin 2018 miratuan një vendim i cili thuajse eleminonte tërësisht ushtrimin e të drejtës kushtetuese të protestës paqësore, duke kërkuar leje dhe përcaktuar rregulla të reja, të cilat nuk janë të bazuara në ligj.
“Është totalisht e papranueshme mënyra dhe qasja që ka ndjekur Këshilli Bashkiak i kryeqytetit për të kufizuar të drejtat bazë të njeriut në Tiranë për gjithë këto vjet. Tirana është qytet i lirisë. Urojmë që dikush në Bashki të mos këtë frikë nga protestat paqësore të shoqërisë civile apo qytetarëve të Tiranës.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe pjesë e grupit të avokatëve që ndërtuan padinë kundër vendimit të Këshillit Bashkiak.

Kërkesë-padia kërkon shfuqizimin e aktit normativ që Këshilli Bashkiak Tiranë ka marrë rreth 2 vjet më parë, mbi përdorimin e hapësirave publike në pronësi të Bashkisë Tiranës, akt i cili bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, aktet ndërkombëtare dhe ligjin “Për tubimet” në Shqipëri.
Në Nëntor 2018, Këshilli Bashkiak i Tiranës, si organi vendimmarrës i Bashkisë Tiranë, miratoi Vendimin Nr. 130, të datës 15.11.2018 “Për miratimin e rregullores “për kushtet dhe rregullat e zënies së hapësirës publike në bashkinë e Tiranës.” Në përmbajtjen e këtij vendimi ndër të tjera, në Kreun VI të tij, rregullohet “Zënia e hapësirave publike për zhvillimin e aktiviteteve promovuese, artistike, kulturore, manifestimeve politike e të tjera”. 
“Shkelja e kësaj të drejte në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë përmes krijimit të burokracive administrative apo pengesave të tjera ligjore, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut.” – nënvizoi avokatja pranë Zyrës Ligjore të CRCA/ECPAT Shqipëri.

Akti i Këshillit Bashkiak Tiranë ka kufizuar dhe vështirësuar jo pak veprimtarinë e qytetarëve dhe të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri. Përpos lajmërimit që çdo organizatë apo qytetar, që kërkon të realizojë një protestë apo manifestim paqësor, duhet të bëjëpranë Policisë së Shtetit, sipas aktit të Këshillit, duhet që të merret edhe një leje në Bashki, për të cilën mund të duhet të pritet deri në një muaj për t’u miratuar.  
“Ne besojmë se Gjykata Administrative Tiranë do ta gjejëkëtë akt të Bashkisë Tiranë në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të gjitha konventat ndërkombëtare që mbrojnë e garantojnë të drejtën e tubimit, si një të drejtë bazë të të drejtave të njeriut.” – theksoi Altin Hazizaj, i CRCA/ECPAT Shqipëri.

 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Zyra Ligjore për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri (FLA)
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: fla@crca.al