CRCA e përzgjedhur mes qindra organizatave nga e gjithë bota, nga organizata Child10 në Suedi, që prej krijimit të saj ka ofruar shërbime për mbi 500 mijë fëmijë dhe adoleshentë nga e gjithë Shqipëria

Tiranë 30 Tetor 2021 – CRCA/ECPAT Shqipëri është një ndër organizatat e përzgjedhura në nivel global për t’u nominuar për Çmimin prestigjoz ndërkombëtar të organizatës Suedeze CHILD 10, i cili jepet si një vlerësim për organizatat e shoqërisë civile dhe punës së tyre në mbrojtje të fëmijëve nga trafikimit dhe shfrytëzimi seksual.
CHILD 10, çdo vit përzgjedh 10 organizata nga e gjithë bota, duke vlerësuar punën e tyre për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe grave nga trafikimi dhe shfrytëzimi seksual, duke vlerësuar më pas organizatat me dhënien e një çmimi ndërkombëtar. Dhënia e vlerësimit bazohet në analizën që CHILD10 i bën shërbimeve që organizatat e nominuara ofrojnë përgjatë punës së tyre, cilësinë dhe shtrirjen e gjerë që kanë këto shërbime, etj.
Këtë vit nga Shqipëria, janë nominuar dy organizata që kanë luftuar në çdo moment në mbrojtje të vajzave të shfrytëzuara për qëllime seksuale apo të trafikuara.  CRCA Shqipëri dhe Qendra VATRA në Vlorë, janë dy organizatat që janë përzgjedhur nën temën e këtij viti që është “Të drejtat e vajzave nuk kanë çmim”.
Çmimi jepet për të nderuar të gjithë shërbimet që këto organizata ofrojnë në ndihmë të vajzave dhe grave në Shqipëri. Ky çmim akordohet gjithashtu me një ndihmë e mbështetje teknike dhe ekspertizë profesionale nga organizatat dhe ekspertët më të mira në Suedi, duke synuar forcimin e shërbimeve dhe rritjen e aksesit të viktimave në to.
CRCA/ECPAT Shqipëri, punon prej 24 vjetësh në mbrojtje të fëmijëve nga çdo formë shfrytëzimi, duke patur në fokusin kryesor të saj promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. CRCA është pionjere e krijimit të disa prej shërbimeve më të domosdoshme në mbrojtje të fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri, si: Barnahus Albania, ALO 116, ISIGURT.AL, Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Humbur etj. E liçensuar për të ofruar shërbime të tilla në nivel komunitar dhe kombëtar që prej vitit 2011, CRCA ka mbrojtur dhe ofruar shërbime përmbi 500,000 fëmijë dhe adoleshentë anembanë Shqipërisë.
Në vitin 2019, CRCA/ECPAT Shqipëri ngriti Qendrën Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale (Barnahus Shqipëri) – shërbimi i parë kombëtar, i cili ofron në një vend të vetëm shërbimet komunitare, shoqërore, të këshillimit dhe atyre ligjore për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual.
 
Për më shumë info, kontaktoni:
 
CRCA / ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al
 


Detajet e Lajmit
October 30, 2020
277
Kategoria