
Tiranë, 22 Shkurt 2022 – Sot është Dita Europiane e Mbrojtjes së Viktimave të Krimit, ditë në të cilën vendet ndërmarrin veprime për ndërgjegjësimin e viktimave për të drejtat e tyre. Dita Europiane këtë vit përkon sot me 30 vjetorin e ditës kur vendet Europiane krijuan një kuadër të plotë legjislativ, strategjik dhe financiar të mbështetjes dhe dëmshpërblimit të viktimave të krimit. Sot në të gjithë kontinentin Europian numërohen rreth 75 milion viktima të krimit çdo vit. Janë ata që vuajnë nga racismi, ksenofobia, dhuna, terrorizmi etj.
Sipas INSTAT Shqipëri, numri i krimeve kundër personit në vitin 2020 ishte rreth 6475, ndërsa ato ndaj fëmijëve regjistruan rreth 2000 krime, nga të cilat rreth 150 prej tyre kanë të bëjnë me dhunën seksuale ndaj tyre. Siguria dhe mbrojtja e fëmijëve nga krimi është detyrë dhe përgjegjësi e Qeverisë dhe shtetit shqiptar në tërësi.
Mbështetja dhe dëmshpërblimi i viktimave të krimit në Shqipëri nuk është një nocion i ri, por ai mbetet gjerësisht i pazbatuar për shkak sepse shteti ia ngarkon fajin e kryerjes së krimit personit që kryen veprën penale dhe janë gjykatat ato që vendosim për masën e dëmshpërblimit. Kjo jo vetëm ka kufizuar kërkesat dhe masën e dëmshpërblimit, por shumë prej viktimave për shkak të frikës së hakmarrjes, nuk ndjekin procesin për dëmshpërblimin e tyre. Ndërkohë që te fëmijët viktima të krimit dëmshpërblimi mbetet një e drejtë e pazbatuar deri më sot.
Nisur nga kjo situatë, CRCA/ECPAT Shqipëri sot në Ditën Europiane të Mbrojtjes së Viktimave të Krimit, shpall publikisht nismën: Një Ligj për Mbrojtjen e Fëmijëve Viktima të Krimit në Shqipëri!
Kjo nismë, që do të angazhojë ekspertët më të mirë të CRCA/ECPAT Shqipëri, institucionet publike në vend përgjegjëse për fëmijët dhe organizatat joqeveritare, përgjatë muajve në vazhdim do të konsultojë dhe prezantojnë aspektet kryesore të projekt-ligjit, me shpresën që projekt-ligji të dorëzohet për miratim në Kuvend në datë 1 Qershor 2022, Dita e Fëmijëve në Shqipëri.
Altin Hazizaj, Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, duke prezantuar nismën theskoi: “Sa herë ndodh një krim ndaj një fëmije – aq herë shteti ka dështuar në mbrojtjen e tyre! Pavarësisht zgjerimit të numrit të punonjësve në mbrojtje të fëmijëve – deri më sot, as Qeveria dhe asnjë Bashki nuk kanë mundësuar shërbimet e duhura dhe dëmshpërblimin financiar të fëmijëve-viktima të krimeve monstruoze që kanë ndodhur ndaj tyre. Sot është dita për t’i dhënë FUND kësaj situate. Qeveria e ka për përgjegjësi ligjore dhe morale që të mbrojë fëmijët duke plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga Kushtetuta!”
Dëmshpërblimi financiar i viktimave të krimit, është një procedurë e njohur për të gjitha vendet në Europë, përfshi këtu edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që nuk dëmshpërblen fëmijët viktima të krimit!
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri
Cel: +355675002020
E-mail: crca@crca.al
Kontakti me Mediat:
Albana Mustafaraj
E-mail: albana.mustafaraj@crca.al