
Tiranë 6 Korrik 2023 – Kuvendi i Shqipërisë njoftoi sot se Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri), organizata kryesore për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në vend, është pranuar zyrtarisht të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar për Integrimin European në Kuvend.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) është krijuar me Ligjin Nr. 15/2015, datë 05/03/2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Shqipërisë ne BE” , si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian që ngrihet pranë Kuvendit, me qëllim nxitjen dhe garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.
Me hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë, roli i Kuvendit dhe i shoqërisë civile shihet si tepër I rëndësishëm jo vetëm në drejtim të mbështetjes së procesit, por edhe ofrimit të ekspertizës në fusha të caktuara. CRCA/ECPAT Shqipëri është një ndër lider për ekspertizën e saj në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, ndaj pjesmarrja e saj në këtë Këshill, merr një vlerë të veçantë si për organizatën, ashtu edhe vetë Kuvendin.
CRCA/ECPAT Shqipëri punon për të promovuar respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, për t’i mbrojtur ata nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi, për të zhvilluar të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në nivelin kombëtar dhe lokal, nëpërmjet lobimit dhe avokatësisë, përmirësimit të politikave dhe legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve, informimit dhe hulumtimit, si dhe krijimit të modeleve të mira të shërbimeve për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve. CRCA promovon zbatimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardeve tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.