Tiranë, 30 Mars 2020 – Ndonëse Shqipëria ka hyrë në një karantinë totale prej rreth dy javësh, duke zbatuar masa të rrepta për mbrojtjen ndaj virusit COVID-19, shoqëria civile vijon punën e saj në ndihmë të familjeve në nevojë.
Në Shqipëri jetojnë në situatë ekstreme rreth 400,000 persona, të cilët ndjejnë mungesën e ushqimit, urinë, mungesën e mjeteve për higjenën personale, apo edhe sëmundje të patrajtuara për shkak të mungesës së ilaçeve etj.
Që në ditët e para të vendosjes së karantinës CRCA, bëri një thirrje publike duke përdorur dy hashtags #ShqiperiaDhurondhe #dikushkanevojepertypër të ndërgjegjësuar komunitetet tona kudo në Shqipëri për të ndihmuar familjet të cilat nuk kanë mundësi të kenë ushqimet e përditshme, të cilët kanë persona të moshuar apo edhe njerëz më aftësi të veçanta dhe të pamundur të gjejnë trajtimin e duhur. Kësaj thirrjeje ju përgjigjën shumë vullnetarë, por pati edhe shumë familje, që nëpërmjet rrjeteve sociale, apo edhe telefonit kërkonin ndihmë për ushqime.
Në këtë kuadër, CRCA, ka bërë të mundur deri më tani, evidentimin dhe mbështetjen për rreth 35 familje në Shqipëri, të cilat vijnë nga qytete e zona të ndryshme të vendit. Falë fushatës sonë, qytetarë nga i gjithë vendi, na kanë shkruar apo telefonuar për të kërkuar ndihmë, pasi gjenden në kushte të jetës ekstreme. Nëpërmjet bashkëpunimit të vyer me të gjitha bashkitë, është bërë e mundur pajisja e familjeve në nevojë me ndihma ushqimore dhe mjete të higjenës personale.
Megjithatë kjo ndihmë zgjidh vetëm përkohësisht problemet e përditshme që shumë prej familjeve të varfra në Shqipëri përjetojnë gjatë situatës së izolimit masiv në Shqipëri.
Sipas Bankës Botërore, të paktën 14.3% e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri ekstreme. Rreth 100.000 fëmijë çdo ditë që rrezikohen nga uria dhe varfëria, të cilët sot janë të detyruar jo vetëm të vetë-izolohen në shtëpitë e tyre, por edhe të mos kenë mundësi të sigurojnë ushqimin e përditshëm.
Nisur nga ky realitet tepër i rëndë, sidomos për fëmijët, CRCA/ ECPAT Shqipëri vijon të ripërsërisë kërkesën e saj drejtuar Qeverisë prej disa javësh, e cila duhet urgjentisht të kthejë sytë dhe të ndihmojë familjet në nevojë në vendin tone.