Tiranë, 24 Shkurt 2020– Ndër vite Shqipëria është përpjekur të përparojë në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të shumta, korrupsioni i përhapur, sulmet politike, institucionet e dobëta publike, sistemi i drejtësisë i korruptuar si dhe mungesa e investimeve publike për fëmijë dhe të rinjtë, ka penguar seriozisht përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në vend.
Të dhënat tregojnë se sjellja kriminale e fëmijëve dhe të rinjve po bëhet një nga faktorët më të mëdhenj në rritjen e kriminalitetit në Shqipëri ku 1/3 e të gjithë veprave penale kryhen nga fëmijët dhe të rinjtë.Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, vetëm përgjatë vitit 2018, thuajse 38% e dënimeve penale të formës së prerë janë dhënë ndaj të rinjve nga mosha 14-30 vjeç.
Kriminaliteti te fëmijët dhe të rinjtëështëkthyer sot në kërcënim serioz për të drejtat e fëmijëve kudo në Shqipëri! Fëmijët përballen me procedura të tejzgjatura gjyqësore dhe trajtohen njësoj me të rriturit. Institucionet, programet dhe shërbimet e specializuara për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin mungojnë si dheshumë ligje për fëmijët vazhdojnë ende të mbeten të pazbatuara dhe strukturat në të gjitha nivelet janë të papërgatitura që të mbrojnë fëmijët! Këto të dhëna kërkojnë një adresim më të mirë nëpërmjet politikave të drejtësisë sociale, të cilat për momentin mungojnë. Nisur nga kjo situatë CRCA/ECPAT Shqipëri për dy vitet e ardhshme do të ofrojë mbështetje për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin.
Në këtë kuadër CRCA/ECPAT Shqipëri do të krijojë edhe Qendrën Kombëtare për Rehabilitimin dhe Riintegrimin e të Miturve në Konflikt me Ligjin. Kjo qendër do të mundësojë të gjitha shërbimet informuese, këshilluese dhe ndihmën ligjore parësore e dytësore falas. Ajo do të monitorojë procesin dhe do të mbështesë riintegrimin e fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin. Do të ndërmjetësojë punësimin e tyre dhe këshillim karriere, fuqizimin e komuniteteve lokale ku fëmijët dhe të rinjtë jetojnë dhe informim dhe ndërgjegjësim të stafeve pedagogjike të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme mbi kriminalitetin rinor.
CRCA/ECPAT Shqipëri me nismën e saj synon të forcojë punën institucionale për zhvillimin dhe promovimin e shërbimeve me bazë komunitare për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin duke identifikuar, zhvilluar dhe promovuar shërbime alternative, të bazuara në komunitet për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin, në mënyrë që të mbështetet zhvillimi pozitiv i tyre, duke siguruar funksionimin e sistemit të drejtësisë për të mitur dhe atë të mbrojtjes së fëmijëve.
Për çdo informacion tjetër kontakto me e-mail: crca@crca.al ose tel: 04 22 65741


Detajet e Lajmit
February 24, 2020
246