Tiranë, 13 Shtator 2024 – Drejtori i Përgjithshëm i CRCA/ECPAT Shqipëri së bashku me Drejtoreshën Ekzekutive të Linjës Kombëtare të Telefonit të Ndihmës për Fëmijët (ALO 116) zhvilluan sot në mëngjes një takim të përbashkët me Kryetarin e Autoritetit e pavarur për Komunikimet Elektronike dhe Postare, z. Tomi Frashëri, për të forcuar bashkëpunimin, por edhe për të ndarë shqetësimin tonë në lidhje me përdorimin e adresave që përfundojnë me pikë AL për posedim dhe shpërndarje të materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve (CSAM).
Gjatë muajve të fundit, pranë iSIGURT.al janë paraqitur një sërë ankesash nga partnerët tanë ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e adresave që përfundojmë me pikë AL për mbajtje dhe shpërndarje të asaj që në Kodin Penal konsiderohet pornografi e fëmijëve. Këto adresa, miratimi i të cilave bëhet vetëm nga AKEP përkundrejt përdoruesve në në Shqipëri, më pas janë dhënë në përdorim ose shitur në një sërë vendesh të tjera, ku rezulton se ju është tjetërsuar përmbajtja, duke i kthyer ato në faqe me përmbajtje të materialeve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Gjatë takimit palët diskutuan në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për evidentimin dhe bllokimin e materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, si në aspektin ligjor ashtu edhe atë institucional. Sipas CRCA/ECPAT Shqipëri, AKEP si autoriteti përgjegjës nuk duhet të mbajë një rol neutral në lidhje me këtë çështje, duke pritur që urdhërat e bllokimit të vijnë nga Policia e Shtetit apo Prokuroria. Në këtë kuadër u kërkua që AKEP të luajë një rol pro aktiv në gjurmimin e këtyre faqeve dhe bllokimin e tyre të menjëhershëm.
Në takim u diskutua edhe forcimi i bashkëpunimit në kuadër të forcimit të bazës ligjore që do të mundësonte një mbrojtje më të mirë të fëmijëve në hapësirën kibernetike.
Për më shumë info, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al