
Strasbourg, 8 Prill 2019 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve CRCA/ECPAT Shqipëri, ishte pjesë e Konferencës Ndërkombëtare mbi “Forcimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në zbatimin dhe monitorimin e Konventës së Lanzarote”. Konferenca që zhvillohet në Strasbourg, midis datave 8-9 Prill, përcjell mesazhet e saj mbi parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimin dhe dhuna seksuale, si ajo online ashtu edhe ajo offline.
Qëllimi i saj është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis Këshillit të Europës dhe të gjithë aktorëve të domosdoshëm të shoqërisë civile për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale.
Eleminimi i të gjitha formave të dhunës ndaj fëmijëve, duke përfshirë shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve, në internet dhe në jetën reale, janë identifikuar si një nga fushat prioritare për veprim sipas Strategjisë së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Fëmijës (2016-2021).
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, në panelin e diskutimeve midis 40 vendeve të ndryshme të Europës, prezantoi kontributin që CRCA Shqipëri dhe sidomos Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet (www.SIGURT.al) ka dhënë në forcimin e aksioneve të avokatësisë, strategjive të reja, njohjes së fenomenit dhe mjeteve që shoqëria civile tashmë ka në dispozicion për të të forcuar mbrojtjen e fëmijëve dhe zbatimin e Konventës së Lanzarote në Shqipëri.
Në Shqipëri, studimet më të fundit sjellin shifrën se 59% e fëmijëve janë viktima të dhunës fizike, 12% e tyre janë viktima të shfrytëzimit dhe dhunës seksuale, ndërsa 69% të fëmijëve janë viktima të abuzimeve psikologjike. Përsa i përket shfrytëzimit dhe dhunës seksuale online, shifrat në Shqipëri janë ende shqetësuese. Në raportin e ISIGURT.AL, rreth 44% e fëmijëve që kanë akses në internet përballen me pornografinë, ndërsa 47 % e tyre janë kontaktuar nga një grabitqar seksual online.
Konferenca Ndërkombëtare mbi “Forcimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në zbatimin dhe monitorimin e Konventës së Lanzarote”, mblodhi mbi 40 pjesëmarrës nga vendet anëtare të Këshillit të Europës si dhe drejtues e anëtarë të Komitetit të Konventës së Lanzarote.
Konventa e Lanzarote hyri në fuqi në korrik 2010 dhe kërkon që shtetet palë të punojnë për të kriminalizuar të gjitha format e veprave seksuale ndaj fëmijëve dhe të miratojnë ligje dhe masa specifike për parandalimin e dhunës seksuale, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve të krimit. Ajo gjithashtu promovon bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar në këto fusha.