Tiranë, 23 Dhjetor 2022 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri) hapi sot në mëngjes siparin e konsultimeve të shoqërisë civile dhe institucioneve publike mbi përafërimin e legjislacionit dhe standarteve të Shqipërisë me Bashkimin Europian në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve.


Në tryezën e parë të diskutimeve që u mbajt sot në mëngjes në Tirana Hotel International, nën titullin: “Shqipëria dhe integrimi Europian: Ku janë të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve”, folësit dhe të ftuarit diskutuan mbi metodologjinë e re të negociatave, hapat e ndjekur deri më tani dhe rolin që mund të luajë shoqëria civile në këtë proces.


Një pjesë thelbësore e legjislacionit të BE-së (Acquis) e zenë të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve, të cilat përmblidhen kryesisht në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave (Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të Drejtat e Njeriut / Kapitulli 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria). Në Nëntor të këtij viti institucionet shqiptare raportuan gjatë procesit të njohjes reciproke në lidhje me zhvillimet kryesore për të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve.


Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale informuan të gjithë pjesmarrësit, që vinin nga sektori i shoqërisë civile, në lidhje me procesin e screeining Shqipëri-BE dhe çfarë pritet të ndodhë në muajt në vijim. Ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri në prezantimet e tyre u ndalën në aspektet kryesore të Acquis për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe mundësive që paraqiten përpara shoqërisë civile për t’u bërë pjesë aktive e këtij procesi.


“Ne jemi të lumtur që CRCA/ECPAT Shqipëri po udheheq këtë proces të gjerë të konsultimit, por edhe informimit dhe angazhimit të shoqërisë civile, që të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve të jenë pjesë substanciale e negociatave Shqipëri-BE, sidomos në përafërimin e legjislacionit vendas me standartet më të larta të Bashkimit Europan. Nuk ka integrim në BE pa garantuar të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.


Në 19 Korrik 2022, mbledhja e parë ndërqeveritare hapi procesin e negociatave për anëtarësinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë këtyre muajve palët janë angazhuar në procesin e njohjes reciproke (screening) ku institucionet vendase dhe të BE-së ftohen të paraqesin informacion të përditësuar në lidhje me gjendjen aktuale dhe përputhshmërinë e legjislacionit të Shqipërisë me ato të BE-së. Përfundimi i procesit, që pritet të ndodhë më mes të vitit të ardhshëm, ku do të përcaktohen edhe puna, përpjeket, standartet që duhet arrihen dhe kohëzgjatja që do t’i duhet vendit tonë për të negociuar 35 kapitujt e Acquis.


Nisur nga fakti që procesi i negociatave të Shqipërisë me BE-në, nuk është vetëm një proces shtetëror, por i një reformimi dhe përmirësimi thelbësor ligjor, shoqëror dhe administrativ, roli që luan shoqëria civile merr një vlerë të veçantë.  Në këtë kuadër, CRCA/ECPAT Shqipëri do të inciojë një proces të gjerë konsultimi, informimi dhe angazhimi, në lidhje me përgatitjen e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, në bashkëpunim me organizatat tona partnere, me qëllim forcimin e punës së përbashkët për të nxitur zbatimin e të gjithë ligjeve dhe standarteve të BE-së për fëmijët dhe të rinjvë në Shqipëri.


Për më shumë inforacion, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
December 26, 2022
736
Kategoria