Tiranë 6 Korrik 2021 – Pas të rinjve, Bashkimi Europian krijon edhe Garancinë për Fëmijët. Rreth 7 vite më parë, Bashkimi European aprovoi Garancinë e të rinjve. Ajo krijon mundësi zhvillimi dhe mbështetjeje në të gjitha fushat për të rinjtë në Europë, duke u kthyer në një instrument mbështetje për të gjithë të rinjtë e varfër dhe të papunë. Nisur nga suksesi saj, shoqëria civile së bashku me deputetet e Parlamentit Europian për muaj të tërë luftuan për të bërë realitet Garancinë e Fëmijëve.
Në 14 Qershor Bashkimi Europian, mori një hapin historik duke krijuar dhe miratuar Rekomandimin e Këshillit për krijimin e Garancinë Europiane për Fëmijët, një instrument që garanton aksesin në shërbimet thelbësore për të gjithë fëmijët në nevojë.
Garancia Europiane e Fëmijëve do të shërbejë si një katalizator midis investimeve publike për të realizuar që të gjithë fëmijët të kenë strehim të përshtatshëm, ushqim të shëndetshëm, akses në kujdesin shëndetësor dhe parandalimin e sëmundjeve, arsimim cilësor që në moshë të hershme dhe kujdes e mbrojtje për fëmijët, që nga vitet e para të jetës së tyre.
Të gjitha këto pika përkojnë edhe me kërkesat e CRCA/ECPAT Shqipëri drejtuar Qeverisë shqiptare, të cilat në 1 Qershor të këtij viti, u prezantuan si pjesë e Manifestit për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri.
Shtetet Anëtare të BE-së, do të zhvillojnë strategji gjithëpërfshirëse kombëtare dhe plane veprimi për të zbatuar Garancinë e Fëmijëve deri në fund të muajit Mars 2022. Qeveritë e vendeve të BE-së pritet të përdorin fonde nga BE-ja dhe buxhetet e tyre kombëtare për të financuar Garancinë e Fëmijëve në vendin e tyre. Ata do të emërojnë një koordinator kombëtar të Garancisë së Fëmijëve dhe të përfshijnë të gjithë fëmijët dhe shoqërinë civile në zhvillimin, zbatimin dhe monitorimin e planeve të tyre kombëtare të veprimit.
Nisur nga ky zhvillim i ri në Bashkimin Europian dhe duke patur parasysh se Qeveria shqiptare tashmë ka shprehur dakordësinë e saj për të zbatuar Garancinë Rinore, CRCA/ECPAT Shqipëri, i drejton këtë thirrje publike Qeverisë duke kërkuar prej saj, jo vetëm përqafimin e menjëhershëm të kësaj nisme, por edhe angazhimin e saj për të zbatuar Garancinë e Fëmijëve edhe në Shqipëri, përkrah asaj rinore.
Ne jemi të gatshëm të asistojmë Qeverinë shqiptare” – tha Altin Hazizaj, Drejtor I CRCA/ECPAT Shqipëri – “që të fillojë të përgatisë një plan të integruar dhe gjithëpërfshirës që vendos në qendër të qëllimeve të saj varfërinë zero të fëmijëve, eleminimin e skllavërisë së fëmijëve, arsimit cilësor e gjithëpërfshirës, mbrojtja nga dhuna, diskriminimi dhe urrejtja, si dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve shoqërore dhe mbrojtëse për fëmijët.”
 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: +355 675002025
E-mail: crca@crca.al