Tiranë, 16 Maj 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri me anë të këtij reagimi të menjëhershëm, kërkon të shpehë habinë, por edhe indinjatën e saj të thellë ndaj dhunës dhe trajtimit çnjerëzor të një të mituri nga ana e katër punonjësve të policisë, që sipas gjasave ka ndodhur në Tiranë.
CRCA/ECPAT Shqipëri u vu në dijeni nga mediat sociale për videon e një djali të mitur, i cili po dhunohej nga policia. Nga vëzhgimi që ne i bëmë materialit të hedhur online duket qartë se një i mitur është duke u keqtrajtuar dhe më pas shihet sesi dy punonjës të policisë e godasin me shpulla, ndonëse e riu nuk është duke bërë asnjë tentativë as për t’u larguar dhe as për të kundërshtuar nga forcat e policisë. Kjo dhunë dhe trajtim çnjerëzor është totalisht i papranueshëm, i pajustifikuar dhe në kundërshtim me një sërë ligjesh, përfshi edhe Ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Ngjarja është tepër e rëndë dhe ajo paraqet modelin e një force policore që nuk respekton të drejtat e fëmijëve, dinjitetin e qenies njerëzore. Për më tepër ajo rrezikon që të kthehet në një model të shëmtuar të dhunës policore që dëmton mbi të gjitha divizën dhe statusin e punonjësve të denjë të policisë që respektojnë të drejtat e njeriut.
Nisur nga kjo ngjarje, CRCA/ECPAT Shqipëri, kërkon sa më poshtë:

Pezullimin e menjëhershëm të katër punonjësve të policisë të përfshirë në këtë incident;

Zhvillimin e një hetimi të brendshëm nga ana e Policisë se Shtetit për të kuptuar se pse qënka kaq e lehtë për katër punonjës policie shkelja e ligjit dhe mungesa e respektit për të drejtat e fëmijës;

Hetimin e menjëhershëm dhe të pavarur të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendosjen e fajtorëve përpara përgjegjësisë për shkelje të Kushtetutës, të ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, të Kodit Penal etj;  

Pavarësisht kësaj ngjarje ne nxisim çdo punonjës të Policisë së Shtetit që të respektojnë, garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e fëmijëve, dhe jo të bëhen shkelës të tyre.