Për një kohë shumë të gjatë mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual është neglizhuar nga autoritetet vendore dhe ato qendrore! Një sërë studimesh dhe vëzhgimesh në fushë të CRCA/ECPAT Shqipëri tregojnë se ligjet dhe politikat shtetërore janë ende tepër larg ofrimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual online dhe në jetën e përditshme. Ka ardhur koha që këtë realitet ta ndryshojmë, të gjithë së bashku!

Tiranë, 28 Qershor 2022 – CRCA/ECPAT Shqipëri dhe BARNAHUS Shqipëri, nisën sot procesin e gjerë të konsultimeve me institucionet publike, shoqërinë civile, ekspertë të fushës për të drejtat e fëmijëve, në funksion të rishikimit të ligjeve dhe politikanë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual. Disa nga gjetjet më kryesore nga studimet dhe vëzhgimet e CRCA/ECPAT Shqipëri tregojnë se autoritetet në të gjitha nivelet nuk janë të përgatitura dhe nuk kanë dëshirën politike për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual.
Në këtë kuadër, ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Barnahus Shqipëri, në bashkëpunim me partnerët që punojnë çdo ditë me dhe për fëmijët, mbajtën tryezën e 1 rë konsultimeve për rishikimin e kornizës ligjore në mbrojtje të fëmijëve. Tryeza e cila u mbajt këtë mëngjes, nën prezencën e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe ekspertëve të të drejtave të fëmijëve, u fokusua tek ndryshimet e propozuara nga CRCA/ECPAT Shqipëri në Kodin Penal, Ligjin për të Drejtat e Fëmijës, Protokollin e Profesionistëve për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna Seksuale dhe Kodin e Sjelljes së Profesionistëve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna.
Prej shumë kohësh ky shqetësim i CRCA/ECPAT Shqipëri ka qënë prezent në çdo takim apo dalje publike të saj, mbi situatën e krijuar tashmë nga mangësitë në legjislacion. Nevoja për përmirësime ligjore dhe në tërësi për plotësimin e kuadrit legjislativ, të politikave publike si në nivel qendror dhe atë vendor, e kombinuar kjo edhe me vendosjen e standarteve të sjelljes për profesionistët që punojnë me dhe për fëmijët në Shqipëri është tashmë një urgjencë kombëtare.
“Ne besojmë se kjo përpjekje do të sjellë përmirësime të ndjeshme në kuadrin ligjor ekzistues, standartet e punës së profesionistëve, si dhe përgatitjen e një Plani Kombëtar Veprimit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale, duke u bazuar në eksperiencat më të mira të BE-së dhe Këshillit të Europës” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA /ECPAT Shqipëri.

Takimi vjen si një domosdoshmëri për të adresuar cështjen e dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri, që është kthyer në një urgjencë kombëtare. Raporti “Zërat e të Mbijetuarve” i ECPAT International dhe CRCA/ECPAT Albania tregoi se shërbimet shoqërore në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale janë thuajse inekzistente si në nivel kombëtar ashtu edhe vendor.
 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al
 
 


Detajet e Lajmit
June 28, 2022
367
Kategoria