
Tiranë 29 Nëntor 2019 – Fëmijë nga e gjithë Shqipëria kanë komunikuar me CRCA/ECPAT Shqipëri për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e tyre mbi përjetimin e tërmetit shkatërrues që preku vendin tonë. Disa fëmijë na kanë dërguar pikturat apo vizatimet e tyre duke vijëzuar emocionet, frikën, mendimet, që shoqëruan ato orë e që vijojnë t’i shoqërojnë në këto ditë.
Nisur nga kjo, CRCA/ECPAT Shqipëri ka vendosur që të hapë një ekspozitë me të gjitha punimet e fëmijëve që tashmë kanë humbur shtëpitë e tyre apo të fëmijëve që përjetuan tërmetin e asaj nate dhe tashmë i janë rikthyer jetës normale në shtëpitë e tyre.
CRCA/ECPAT Shqipëri, mirepret foto, vizatime, piktura apo edhe letra të shkruara nga fëmijët, në adresën tonë crca@crca.al
Ekspozita do të shërbejë jo vetëm për bamirësi, por edhe si një mënyrë e largimit të stresit dhe përjetimeve negative, për t’i dhënë mundësinë fëmiiëve që të tregojnë nëpërmjet vizatimeve dhe pikturave përjetimet e tyre të vërteta. Nga ana tjetër ajo do të tregojë edhe një moment jo pak të rëndësishëm në jetën e fëmijëve dhe vetë historisë së Shqipërisë.
Me ndihmën edhe të eskpertëve, ne do të krijojmë një mini-ankand të këtyre vizatimeve, ku të gjitha të ardhurat do t’i kalojnë familjeve të fëmijëve që kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti dhe pasojat e tij.