Raporti Alternativ u përgatit së bashku me Parlamentin Rinor Tiranë, në përgjigje të Raportit të pestë e të gjashtë zyrtar të Shqipërisë, të cilat do të merren në konsideratë gjatë vitit 2022 nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijës i OKB-së, në Gjenevë. Ky është raporti i katërt alternativ, ndërkohë që raporti i parë u përgatit dhe u dorëzua po nga CRCA/ECPAT Shqipëri në vitin 2001.

Tiranë, 3 Korrik 2022 – CRCA/ECPAT Shqipëri dorëzoi zyrtarisht pranë Komitetit për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së në Gjeneve, Raportin Alternativ për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri nga viti 2014 e deri më sot. CRCA është e vetmja organizatë në Shqipëri që ka dorëzuar Raport Alternativ çdo herë që shteti ka raportuar në lidhje me zbatimin e KDF-së.
Raporti, i cili është përgatitur në bashkëpunim dhe në konsultim me të rinjtë e Parlamentit Rinor Tiranë, synon të evidentojë problemet kryesore mbi të cilat shteti shqiptar ka treguar mangësi në plotësimin e detyrimeve që vijnë nga KDF-ja dhe që kanë si qëllim kryesor përmirësimin e gjendjes të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Raporti, ndër të tjera, fokusohet në zbatimin nga Shqipëria të katër parimeve themelore të Konventës për të Drejtat e Fëmijës: mos-diskriminimi, mbijetesa dhe zhvillimi, interesi më i lartë i fëmijës, dhe pjesëmarrja. Përsa i përket parimit të mos-diskriminimit, fëmijët në Shqipëri vijojnë të vuajnë nga shkelja e të drejtave të tyre në arsim dhe aksesin në shërbime diskriminimin. Në mënyrë të veçantë fëmijët dhe adoleshentët LGBTI, Romë dhe me aftësi të kufizuar vijojnë të përballen me diskriminim të hapur nga trupa mësimore, prindërit dhe nxënësit në sistemin e arsimit publik, i cili nuk është i aftë as të mbrojë dhe as të garantojë respektimin e të drejtave të tyre.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është ende tepër larg standarteve ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe sidomos të fëmijëve viktima. Fëmijët-viktima të dhunës seksuale nuk përfitojnë asnjë kompensim nga Qeveria, pavarësisht se ajo është përgjegjëse për krimet që ndodhin dhe sigurinë e fëmijëve. Ligji nuk përcakton qartazi detyrimin e shtetit për të ofruar papagesë të gjitha shërbimet e domosdoshme për viktimat e dhunës seksuale. Ndërkohë media ende nuk ka arritur të zbatojë standartet më të larta të mbrojtjes së fëmijëve-viktima, duke mos-respektuar privatësinë e tyre.
Varfëria ekstreme dhe mungesa e programeve kombëtare kundër varfërisë dhe të mbështejes sociale, sidomos gjate periudhës së Pandemisë së Covid -19, ka ndikuar së tepërmi në të drejtën e fëmijëve për mbijetesë dhe zhvillim. Rreth 14% e popullsisë jetojnë në kushte të varfërisë absolute, ndërsa rreth 3 mijë fëmijë jetojnë në situatë rruge, duke qënë target i trafikimit, dhunës dhe shfrytëzimit seksual.
Një tjetër shqetësim që sjell Raporti, janë fëmijët që jetojnë në kampet e luftës në Siri. Pavarësisht thirrjeve drejtuar Qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga Shqipëria të përfshirë në konflikte të armatosura, numri i fëmijëve të kthyer është ende shumë i vogël.
Raporti Alternativ do të shqyrtohet në një seancë të posaçme nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve në muajt në vijim. Më pas Komiteti i nis shtetit shqiptar një listë me pyetje, përpara se të analizojë Raportin zyrtar të Shqipërisë. Në përfundim të procesit, Komiteti miraton një listë me rekomandime për përmirësimin e situatës të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Shqipëria është palë në Konventën për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së që nga viti 1992 dhe ka raportuar periodikisht në Komitetin për të Drejtat e Fëmijës. CRCA/ECPAT Shqipëri përgatiti dhe dorëzoi Raportin e 1-rë Alternativ në OKB në vitin 2001. Kjo i hapi rrugën një angazhimi më të madh të shoqërisë civile në sistemin e raportimit të të drejtave të njeriut dhe u ndoq nga Raporte të tjera alternative për konventat të tilla si CEDAW, CAT, CERD dhe UPR.
  
 Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: 
CRCA/ECPAT Shqipëri,
e-mail: crcra@crca.al


Detajet e Lajmit
July 3, 2022
272
Kategoria