Grupi Balfin dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, organizata kryesore për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në vend, firmosën një marrëveshje bashkëpunimi. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, është mbështetja dhe fuqizimi i fëmijëve dhe adoleshentëve e familjeve të tyre me ndihma ushqimore, veshmbathje dhe aktivitete fuqizuese.
Marrëveshja më e fundit midis CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Balfin Grup vjen në kuadër të të punës që organizata e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve ka ndërmarrë ndër vite për të rritur përgjegjësitë sociale të bizneseve në vendin tonë. Shpesh bizeneset në Shqipëri, kërkojnë të ndihmojnë fëmijët apo edhe familjet në nevojë, por kjo ndihmë është ende larg mbështetjes dhe dhënies së kontributit të mirëfilltë për fuqizimin kryesor të shoqërisë shqiptare.
Grupi Balfin, është ndër bizneset kryesore në Shqipëri, në përbërjen e të cilit janë kompani prestigjoze si SPAR, JUMBO, NEPTUN, FGA, Tirana BANK, e shumë të tjera. Ky grup bizenesesh prej shumë vitesh është përkushtuar edhe investimeve për fëmijët dhe shtresat në nevojë. Balfin Grup, ka investuar në ndërtimin e kopshteve për fëmijët, mbështetje humanitare për familjet në nevojë, shkollim dhe edukim të fëmijëve në nevojë, etj.
Lajmi i lidhjes se marrëveshjes u bë publik nga vetë Presidenti i Grupit Balfin, z. Samir Mane i cili nënvizoi se: “Marrëveshja e realizuar me CRCA/ECPAT Shqipëri, do të mundësojë mbështetje në përmirësimin e aktiviteteve dhe punës së përditshme për fëmijët dhe hstresat në nevojë.”
Bashkëpunimi ndërmjet Balfin Grup dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, konsiston në shpërndarjen në disa qytete të vendit të pakove ushqimore dhe të veshjeve për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç. Kjo do të vijojë me shpërndarjen për festat e fundvitit jo vetëm dhuratave por edhe të një shporte të madhe të ushqimeve kryesore për familjet e rreth 30-40 fëmijëve në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, Balfin Group, ka në misionin e tij mbështetjen e projekteve që përmirësojnë jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Dhe si e tillë, marrëveshja e bashkëpunimit me CRCA/ECPAT Shqipëri do të shtrihet edhe në realizimin e projekteve ndërgjegjësuese për disa fusha që prekin fëmijët viktima të të gjitha llojeve të dhunës në vend, projekte të fuqizimit të fëmijëve dhe të rinjve, etj.