CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ACA, në mbështetje të shqetësimeve të ngritura edhe më parë si nga ana e tyre, ashtu dhe nga të gjitha organizatat vendase dhe të huaja të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, vijon të nxisë bashkëpunimin dhe mbështetjen, jo vetëm të Qeverisë, por edhe të Kuvendit të Shqipërisë mbi masat që duhen marrë për të mbrojtur interesin më të lartë të fëmijës në këtë periudhë pandemie.
Pandemia COVID-19, edhe pse ka prekur pothuaj të gjitha vendet e botës dhe ka detyruar të gjithë të përjetojnë karantinë, duket se akoma më e vështirë është situata për shtresat vulnerabël. Edhe pse kjo situatë ka një impakt shumë të madh në humbjen e jetëve njerëzore, apo edhe do të ketë një impakt negativ në ekonomi, ata që do ta vuajnë akoma më gjatë këtë situate janë fëmijët e rrezikuar.
Ata janë fëmijët që janë të ekspozuar apo edhe përjetojnë dhunën dhe abuzimin e shfrytëzimin në familjet e tyre. Janë fëmijët me nevoja të veçanta, që nuk kanë mundësi të kenë kushtet e tyre në këtë situate. Janë fëmijët Romë dhe egjyptianë, që shpesh jetojnë në kishte të varfërisë ekstreme. Janë fëmijët refugjatë që janë të detyruar të qëndrojnë në qendra të emigrantëve, etj.
Edhe në vendin tonë, pandemia dhe izolimi i detyrueshëm ka rritur ndjeshëm dhunën në familje, ka ndikuar së tepërmi shëndetin mendor dhe mirëqënien psikologjike të fëmijëve, ka ndërprerë shërbimet për fëmijët që jetojnë në varfëri, në qendra rezidenciale, në paraburgim, burgje apo edhe qendra të fëmijëve me aftësi të veçanta.
Nëse i referohemi shqetësimeve më të fundit që vijnë pranë CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ACA, përveç problemeve të shumta të mbijetesës ekonomike, rezulton edhe një rritje e konsiderueshme e numrit të abuzimit dhe shfrytëzimit kibernetik ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.  
Referuar kësaj situate alarmante dhe që kërkon vëmendje të drejtëpërdrejtë nga instancat vendimmarrëse, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ACA, i propozojnë Qeverisë Shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë, marrjen e masave të menjëhershme përsa i përket:

Ndihmës për të ndaluar dhunën në rritje ndaj fëmijëve brenda familjes, por edhe për të minimizuar impaktin që kjo dhunë shkakton për të gjithë familjen;
Krijimin e planeve të vecanta për grupe specifike të fëmijëve, në bashkëpunim me organizatat e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, për të rritur dhe forcuar mbështetjen që fëmijët në qendrat rezidenciale, në familje etj kanë fëmijët aty të kalojnë në një mjedis sa më të sigurt, pa frikë, dhunë apo shfrytëzim, këtë periudhë të vetmuar duke qenë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur;
Financim dhe mbështetje të shtuar për linjat e ndihës dhe këshillimit 24/7 për fëmijët dhe gratë, të cilat janë të vetmet që mund të ofrojnë ndihmë, këshillim, trajtim dhe bashkëpunim për viktimat e dhunës në familje.
Përforcimi i masave në ndihmë të fëmijëve me aftësi të veçanta, por edhe në familjet me prind me aftësi të veçanta, për t’i mundësuar atyre me struktura profesionale dhe ndihmuese në tejkalimin e karantinës.
Krijimin dhe mbështetjen me alternativa lehtësuese sidomos për fëmijët refugjatë dhe për të gjithë ata që ndodhen në qendrat e ndalimit të migrimit, të cilët jo vetëm qëndrojnë larg shtëpisë dhe vendit të tyre, por edhe janë të detyruara të qëndrojnë në qendra të veçanta azili.
Përgatitjen e një platforme koordinimi mbi masat që duhet të marrim për të përballuar edhe periudhën Post- COVID19, periudhë kjo që do të kërkojë akoma më shumë impenjim të profesionistëve në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që do të kenë nevojë për ndihmë në të gjitha fushat.

Shqipëria si të gjitha vendet e tjera është përfshirë nga pandemia COVID 19 dhe që prej datës 10 mars, ndodhet në një karantinim të plotë të qyteteve të saj. CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ACA që prej ditës së parë ka ofruar ndihmën dhe mbështetjen e saj në të gjitha strukturat, për të ndikuar sado pak në lehtësimin e kushteve të vësjtira në të cilat ndodhen familjet në nevojë dhe fëmijët e tyre, por edhe për të ndihmuar fëmijët që në këto periudha ekspozohen ndaj dhunës e shfrytëzimit seksual.


Detajet e Lajmit
April 6, 2020
274
Kategoria