Tiranë, 26 Maj 2020 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, nëpërmjet kësaj deklarate shpreh shqetësimin e saj mbi mungesën e theksuar të veprimeve të Policisë së Durrësit në punën e saj për të kërkuar vajzën 12 vjeçare të larguar nga familja dy ditë më parë.
Prej disa ditësh një vajzë 12 vjeç është larguar nga familja e saj dhe ende nuk është gjetur.
CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-000, kërkon të sjellë në vëmendjen e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe të Qeverisë Shqiptare, detyrimin dhe përgjegjësine e tyre për të mbrojtur fëmijët në Shqipëri, sidomos ata që janë më të rrezikuarit për t’u bërë viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual apo ekonomik.
Sipas të dhënave të vetë Policisë së Shtetit, çdo tre ditë në Shqipëri humbet një fëmijë ose përafërsisht rreth 120 fëmijë në vit! Pikërisht sot, në ditën kur e gjithë bota sjell në vëmendje të gjitha përpjekjet që çdo shtet realizon për fëmijët e humbur, një vajzë 12 vjeçare rezulton e humbur që dje dhe nuk dihet asgjë për fatin e saj, si dhe të paktën 14 fëmijëve të tjerë të humbur në vitet e shkuara. Disa prej këtyre fëmijëve rezultojnë të rrëmbyer nga familjarët e tyre, të tjerë largohen nga familja për shkak të dhunës dhe abuzimit, ku rreziku kryesor është që ata të bëhen pre e grupeve kriminale apo grabitqarëve seksualë.
Shqipëria vijon të renditet ndër vendet më problematike në Europë në lidhje me mungesën e masave për mbrojtjen e fëmijëve të humbur, të shfrytëzuar dhe të trafikuar për qëllime seksuale.