19 Prill 2024 – CRCA Shqipëri dorëzoi sot kontributin e saj mbi situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve për Raportin Vjetor të Bashkimit Europian 2024 mbi Shqipërinë. Kontributi shkon kryesisht në mbështetje të kapitujve 23 dhe 24 të Acquis, duke mbuluar një sërë çështjesh që klasifikohen nën ombrellën e ‘Të Drejtave Themelore’. Procesi i Raportimit është një proces vjetor, ku Delegacioni i BE-së në Shqipëri i kërkon OJF-ve kombëtare t’a informojnë mbi zhvillimet më të fundit sipas fushëve të tyre të punës. Disa ditë më parë CRCA Shqipëri mori pjesë në një takim konsultativ kushtuar po kësaj çështjeje me ekipin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ku u ndanë shqetësimet tona për disa nga çështjet kyçe.
CRCA Shqipëri ka kontribuar me informacion të konsiderueshëm mbi situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Raportin Vjetor të BE-së për Shqipërinë, që kur vendi nënshkroi marrëveshjen e tij të asocimit dhe partneritetit, në vitin 2006. Raporti fokusohet në çështjet më shqetësuese që janë identifikuar nga puna monitoruese që organizata kryen për të evidentuar shkeljet të drejtat e fëmijës dhe të rinjve, përfshi edhe praktikat shqetësuese që lindin gjatë komunikimit apo ndërveprimit me autoritetet në nivel lokal dhe kombëtar.
Raporti 2024 jep një vlerësim të përgjithshëm të situatës aktuale mbi të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri duke përfshirë si aspektet pozitive ashtu edhe ato shqetësuese. Në lidhje me çështjet shqetësuese, raporti ruan qasjen e tij kritike mbi nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për të zbatuar acquis e BE-së në fusha të tilla si mjedisi mundësues për OSHC-të për të kryer misionin e tyre, financat publike dhe transparenca e tyre, proceset konsultuese të ligjeve apo akteve të tjera publike etj.
Raporti gjithashtu ngre disa çështje shqetësuese për të drejtat e fëmijës, veçanërisht drejt mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi në hapësirën kibernetike, mungesën e mekanizmave për të mbrojtur fëmijët nga bullizmi në shkolla, aksesi në arsimin publik për fëmijët që i përkasin pakicës rome apo fëmijët me aftësi të kufizuar, dhuna, dhe diskriminimi i hapur i fëmijëve dhe të rinjve LGBTI në arsimin public, mungesën e shërbimeve publike për fëmijët viktima të dhunës seksuale etj. Ndërkohë raporti ndalet edhe në disa fusha kritike si menaxhimi i kufijve, mbrojtja e fëmijëve të huaj të pashoqëruar etj.
CRCA punon ngushtë me Eurochild – rrjeti më i madh europian i organizatave për të drejtat e fëmijëve – për të ndarë gjetjet e raportit me Komisionin e BE-së në Bruksel, Parlamentin Europian etj., që të rrisë ndërgjegjësimin e autoriteteve si në Bruksel ashtu edhe në Tiranë mbi masat që duhet të ndërmarrin për të mbështetur përmirësimin dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve.