Tiranë, 6 Qershor 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri dorëzoi pranë Komisionit të Ligjeve dhe Aleancës së Grave Deputete në Kuvendit të Shqipërisë, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, propozimet e saj për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal në Shqipëri. Propozimet vijnë në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një skandal i madh ku një vajzë denoncoi dhunën dhe shfrytëzimin seksual nga roja i shkollës në një zonë të Tiranës.
Kjo është hera e katërt që CRCA i kërkon Kuvendit të miratojë shtesa e ndryshime në Kodin Penal mbi krimet seksuale ndaj fëmijëve. Propozimet kërkojnë të përforcojnë përkufizimet, zbatimin dhe dënimet e disa veprave penale, të cilat sjellin pasoja të rënda mbi jetën, dinjitetin dhe mirëqenien fizike dhe emocionale të viktimave.
“Ngjarja e fundit e dhunës seksuale ndaj një të miture, edhe një herë tregoi nevojën për ndryshime dhe përmirësime në Kodin Penal, të cilat ne i kemi kërkuar dhe propozuar tashmë prej vitesh” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Këto propozime përfshijnë edhe shtimin e disa neneve të reja dhe dënimin si vepër penale për personat që shtyjnë, nxisin, mashtrojnë e manipulojnë fëmijën për të kryer marrëdhënie seksuale; komunikimin me fëmijën për qëllime seksuale etj. Në propozimet e bëra kërkohet edhe krijimi i Regjistrit Kombëtar për Krimet Seksuale, i cili ka si qëllim të parandalojë takimet midis grabitqarëve seksuale dhe fëmijëve.
Propozimet e CRCA që u dorëzuan zyrtarisht pranë Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, forcojnë zbatimin e legjislacionit të BE-së në Shqipëri, të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF) të OKB-së etj. Po ashtu këto propozime janë në përputhje të normave dhe standarteve të legjislacionit të Këshillit të Europës (Konventa e të Drejtave të Njeriut) dhe në mënyrë të vecantë të Konventës së Lanzarote të KE-së, të ratifikuar nga Shqipëria.
Për më shumë info, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al