Tiranë, 7 Prill 2024 – Një rrjet i gjerë i organizatave të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, nën ombrellën e Shtëpisë për të Drejtat e Njeriut, të udhëhequr nga CRCA Shqipëri, dorëzuan sot raportin për ciklin e 4-të të Rishikimit Periodik Universal (UPR) të OKB-së, ndërkohë që autoritetet do të dorëzojnë raportin e tyre shtetëror për gjendjen e të drejtave brenda muajit Gusht të këtij viti, ndërsa në Nëntor duhet të raportojnë përpara anëtarëve të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.
Raporti u përgatit nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA/ECPAT Shqipëri), iSIGURT.al – Platforma Kombëtare për Internet të Sigurtë, Koalicioni për Arsimin (ACE), Rrjeti Kombëtar Për të Rinjtë (ANYN) dhe Ambasada PINK.
Raporti përqendrohet tek shqetësimet kryesore që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri përgjatë 4 vjeçarit të fundit. Shifrat dhe të dhënat më shqetësuese që përcjell raporti lidhen me nivelin e lartë të varfërisë tek fëmijët dhe të rinjtë, si dhe mungesën e një programi kombëtar për të adresuar varfërinë e qëndrueshme, që kalon nga një gjenerat tek tjetra. Ndër aspektet e tjera shqetësuese që ngre raporti janë edhe çështjet e lidhura me aksesin në arsimin publik, dhunën ndaj fëmijëve dhe të rinjve, sidomos atë në hapësirën kibernetike, migrimin e të rinjve nga Shqipëria, fëmijët e huaj të pashoqëruar, si dhe problemet e vërejtura nga aksesi në drejtësi për shkak të reformës në drejtësi dhe mos-zbatimi i duhur i skemës së mbrojtjes ligjore falas etj.
Është hera e katërt që Shqipëria raporton në procesin e Rishikimit Periodik Universal (Universal Periodic Review – UPR). Qëllimi i procesit të raportimit është vëzhgimi nga afër i situatës së të drejtave të njeriut në çdo vend anëtar të OKB-së dhe dhënia e rekomandimeve për përmirësinin e saj. Raporti zyrtar i shtetit shqiptar do të merret në konsideratë në Nëntor 2024, në sesionin e 47-të të Grupit të Punës të UPR të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.