Tiranë, 8 Maj 2020 – Qendra Kombëtare  për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale (ACA) dhe Platforma Kombëtare ISIGURT.al, në bashkëpunim me CRCA/ECPAT Shqipëri, organizuan Forumin e 6-të mbarë-kombëtar: MBROJTJA E FËMIJËVE NGA DHUNA DHE SHFRYTËZIMI SEKSUAL NË INTERNET – A mund të vendosim parime për Internet të Sigurt për të gjithë?
Ky takim, si shkak i situatës që po kalon gjithë Europa, u organizua në trajtën e një forumi në distancë nëpërmjet internetit. Në të ishin të ftuar deputetë shqiptarë dhe të Kosovës, përfaqësues të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe asaj të Kosovës, gazetarë, menaxherë të rrjeteve të telefonive celulare në Shqipëri, ekspertë të fushës së internetit dhe përfaqësues të organizatave të ndrushme të shoqërisë civile.
Interneti sot është kthyer në kryefjalën e brezave dhe në një ndër mënyrat më tërheqëse të komunikimit për fëmijët dhe të rinjtë. Përhapja dhe përdorimi i madh i tij, shton edhe pasiguritë dhe rreziqet për ndërhyrje të grabitqarëve seksualë dhe përdorimit të tij për dhunë dhe shfrytëzim ndaj fëmijëve.
Faktet flasin se pandemia dhe situata e izolimit të vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, shumëfishoi jo vetëm përdorimin e domosdoshëm të internetit, por rriti ndjeshëm edhe faqet e papërshtatshme, apo materialet me përmbajtje pornografike dhe bulizmin në internet.
Vetëm gjatë javëve të fundit, ACA dhe CRCA, së bashku me gjigandin Facebook, është bërë e mundur mbyllja e rreth 1925 faqeve pornografike ndaj fëmijëve, prej të cilave 69 janë faqe shqipatre, ndërsa të tjerat janë të huaja por lehtësisht të aksesueshme prej nesh.
Për të gjitha këto të pranishmit në këtë web-forum, diskutuan për përmirësimet që mund ti bëjnë sistemit të raportimit të rasteve, por edhe ndihmës që mund ti japin fëmijëve dhe prindërve në rast dhune në internet. Ata diskutuan edhe bashkëpunimin midis vendeve Shqipëri-Kosovë për të patur një internet më të sigurt dhe për të patur hapa të rëndësishëm në luftën ndaj dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fmëijëve në internet.  Të ftuarit diskutuan mbi sfidat që ka industria e internetit dhe e komunikimit, dhe si mund të vendosen disa parime bazë në përdorimin e tij. Theksi i këtij web-forumi ishte ndërgjegjësimi që gjithkush duhet të ndërmarrë në përdorimin e internetit, duke nisur që nga prindërit, fëmijët, komuniteti, mediat dhe rrjete sociale e më pas kompanitë që përdorin, shëprndajnë por edhe mund të jenë një sistem rregullator në sigurinë e internetit në Shqipëri.