Tiranë, 25 Nëntor 2024 – CRCA Shqipëri dhe iSIGURT hapën sot Fushatën Kombëtare online për ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi dhunën online ndaj vajzave dhe grave, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Të dhënat nga Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al – tregojnë se gjatë vitit 2024, 54%  e rasteve të raportuara për dhunë dhe përndjekje kanë qënë gra dhe vajza.

Fushata është pjesë e Nismës TOMAS., e cila po punon për përimirësimin e ligjeve dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në hapësirën dixhitale. Ajo mbështetet financiarisht nga SMART Western Balkans, i Qeverisë Norvegjeze.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, të dhënat globale dëshmojnë se rreth 736 milion gra dhe vajza, ose afërsisht një në tre gra dhe vajza, kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Ky përqindje përfaqëson rreth 30% të grave dhe vajzave të moshës 15 vjeç e më lart, shifër e cila nuk përfshin ngacmimet seksuale, të cilat shtojnë edhe më shumë kompleksitetin e dhunës gjinore. Ky realitet është mjaft  i dhimbshëm dhe ndonëse ka mjaft pëmirësime në këtë drejtim, ka ende shumë punë për të bërë.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave edhe në hapësirën dixhitale është një fenomen shqetësues që ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha, ku interneti shfrytëzohet për të ushtruar forma të ndryshme dhune, përfshirë bullizmin online, kërcënimet dhe përndjekjet. Ky fenomen është pasojë e një rritje të përdorimit të platformave sociale si TikTok, Telegram, Instagram dhe më pak rrjetet e tjera sociale, ku gratë dhe vajzat përballen me kërcënime dhe shantazhe që ndikojnë seriozisht në mirëqenien e tyre psikologjike dhe fizike.

CRCA/ECPAT Shqipëri prej 28 vjetësh udhëheq veprimet për eleminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave, me fokus fëmijët vajza, duke luajtur një rol aktiv në përmirësimin e ligjeve, politikave kombëtare, si dhe shërbimeve të mbrojtjes dhe kujdesit për viktimat. Nga ana tjetër CRCA është fokusuar në fuqizimin e vajzave për të luajtur një rol gjithnjë e në rritje në vendimarrje.

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
November 25, 2024
184
Kategoria