Tiranë, 16 Korrik 2024 – Sot në mëngjes, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) hapën siparin e diskutimeve për shtesa dhe ndryshime në ligjin e rinisë. Takimi u mbajt në Hotel Tirana International me pjesmarrjen e mbi 40 përfaqësuesve nga organizatat dhe institucionet që punojnë për dhe me të rinjtë në Shqipëri.

“Ligji aktual i rinisë është një nismë ligjore e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN, ndaj ne kemi përgjegjësi që si propozues të tij, të kujdesemi që çdo ndryshim bëhet në përputhje me pritshëmritë dhe aspiratat e të rinjve dhe organizatat e tyre.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA në hapje të takimit.

Të pranishmit në takim, si nga organizatat e shoqërisë civile ashtu edhe nga institucionet publike, shprehën domosdoshmërinë për përmirësime në ligjin e rinisë, duke marr në konsideratë edhe faktin që Shqipëria përballet me një largim masiv të të rinjve dhe mungesa e shërbimeve rinore. Prezantimet dhe diskutimet e bëra nga Klaudio Pulaha (ALO 116) dhe Borjana Dine (CRCA) nxitën diskutimet ndërmjet pjesëmarrësve.

Në Qershor të këtij viti Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët njoftoi hapjen e konsultimeve publike për përmirësimin e mëtejshëm të Ligjit për Rininë. Ligji për Rininë u dorëzua për miratim në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2017 dhe më pas në vitin 2019, si një nismë ligjore e CRCA dhe ANYN Shqipëri, e paraqitur si nismë e deputetes Nora Malaj dhe më pas deputetes Fatjona Dhimitri. Nisur nga fakti që Ministria e Arsimit në atë kohë nuk donte të mbështeste një nismë të shoqërisë civile, Kuvendi rekomandoi që të dilej me një projekt të vetëm, i cili në versionin final që është sot në fuqi, është shumë i cunguar nga ai që iu paraqit Kuvendit nga zyra jonë.

CRCA dhe ANYN kanë evidentuar një sërë mangësish në përmbajtjen e Ligjit. Në javët në vijim organizatat do të vijojnë takimet konsultative për të evidentuar mangesitë që organizatat rinore gjejnë në ligjin aktual dhe më pas për të konsultuar propozimet e përbashkëta që shoqëria civile, forumet rinore politike, grupimet rinore dhe vetë të rinjtë duan të shohin në projekt-ligjin e ri të rinisë.

Për më shumë informcion, kontaktoni:

Borjana Dine

Zyrtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: borjana.dine@crca.al


Detajet e Lajmit
August 12, 2024
355
Kategoria