
Tiranë, 27 Shtator 2018 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Ambasada PINK i paraqitën sot Kuvendit të Shqipërisë dhe Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, disa ndryshime mbi ligjin “Për Gjendjen Civile”, në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përsa i përket regjistrimit të seksit dhe gjinisë në dokumentat zyrtare të shtetasve shqiptarë.
Dokumentat e deritanishëm bazuar në legjislacionin shqiptar njohin vetëm dy gjini: mashkull dhe femër, duke mos i dhënë mundësinë askujt për ta ndryshuar gjininë sipas zgjedhjeve përsonale të individit. Ndryshimet e propozuara nga Ambasada PINK dhe CRCA, i japin mundësi të gjithë personave jo vetëm të identifikojnë gjininë e tyre por edhe ta shprehin atë.
Ndryshimet e kërkuara sot pranë Kuvendit kërkojnë të përcaktojnë rregullat bazë për njohjen e seksit dhe gjinisë, dy koncepte bazë të identitetit të një individi në çertifikatën e lindjes dhe në dokumentet e tjerë zyrtarë. Propozimet e paraqitura gjithashtu rekomandojnë edhe proçedurat e njohjes së identitetit gjinor.
Parimi themelor i këtij ligji bazohet në barazinë dhe mosdiskriminimin si edhe në parimet e tjera të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga të gjitha aktet e tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Eshtë hera e parë në vendin tonë që ky ligj përafron legjislacionin shqiptar me modelet më të mira në nivel botëror për njohjen e identitetit gjinor dhe shprehjes së tij.