
Tiranë, 26 Dhjetor 2013- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA Shqipëri dhe ALO 116 – Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë, me mbështetjen e Bankës Ndërkombëtare Tregëtare (ICB Bank) edhe këtë vit dhuruan në Tiranë dhe Korçë 130 pako për fëmijë 3-6 vjeç në situate të vështirë ekonomike. Kjo nismë u realizua falë donacionit që Banka Ndërkombëtare Tregëtare i bëri CRCA-së dhe ALO 116, për tu ardhur në ndihmë shtresave më në nevojë të shoqërisë. Fokusi kryesor i këtij viti, në kuadër edhe të programit më të ri të UNICEF dhe CRCA Shqipëri “Çdo fëmijë rrom në kopsht” ishte ardhja në ndihmë fëmijëve 3-6 vjeç, veçanërisht nga komuniteti rrom, të cilët jetojnë në kushte varfërie ekstreme.
Është hera e dytë që një numër kaq i madh fëmijësh ndihmohen nga CRCA dhe një ndër bankat më serioze në vend si ICB Albania. Filantropia e Bankës Ndërkombëtare Tregtare i erdhi në ndihmë 130 fëmijëve 3-6 vjeç që vijnë nga situata të rënda rruge, varfërie, braktisje, gjakmarrje, dhe jetim nga qyteti i Tiranës dhe Korçës. Ndihma e shoqatave si Shoqata e Rromve për Integrim dhe Kundër Trafikimit të Fëmijëve, Qendra “Zemra e Nënës”, Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën- SHKEJ, Shoqata “Disutni Albania-Korçë” si dhe deputetja e minibashkisë Nr. 7, Znj. Vasilika Hysi dhe bashkëpunëtorët e saj lehtësuan shpërndarjen e dhuratave në fushatën e fundvitit. Fëmijët 3-6 vjeç u pajisën me xhupa, këpucë, atlete dhe veshmbathje të tjera të reja. Në qytetin e Korçës u shpërndanë pako ushqimore për një nga komunitet rrom më të varfra të qytetit.
Këto dhurata u shpërndanë pranë ambienteve të shoqatave në zonën e Selitës, tek shinat e trenit pranë burgut 313, në zonën e Bregut të Lumit, Laprakë, Doganë, Fusha e Aviacionit dhe në qytetin e Korçës. Një pjesë e madhe e dhuratave u shpërndanë pranë banesave të fëmijëve në një maratonë 4 ditore javen e fundit të Dhjetorit. Një falenderim i jashtëzakonshëm i shkon Bankës ICB, stafit të CRCA’së, shoqatave “Shoqata e Rromve për Integrim dhe Kundër Trafikimit të Fëmijëve, “Qendra “Zemra e Nënës”, “Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën- SHKEJ”, Shoqata “Disutni Albania-Korçë” si dhe kryetares së Grupit për të Drejtat e Fëmijëve në Parlament, Znj. Vasilika Hysi e cila me dedikimin e saj të parreshtur ishte shëmbull për të gjithë ne.
Në kuadër të përgjegjësisë sociale, duke marrë shkas edhe nga bashkëpunimi me Bankën Ndërkombëtare Tregtare, shpresojmë që ky të jetë vazhdimi i një kulture filantropike nga ana e bizneseve private në vend, duke qënë se CRCA uron fëmijët e Shqipërisë me dhurata çdo fundvit.
CRCA I URON TË GJITHË FËMIJËVE TË SHQIPËRISË NJË VIT SA MË TË MBARË!