Në 20 Nëntor 2020, CRCA/ECPAT Shqipëri do të shpallë fituesit e Çmimit Kombëtar në pesë fusha kryesore: Institucione, Politikanë, OJF, Media dhe Biznes.

Tiranë 4 Nëntor 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri, njoftoi sot hapjen e procesit përzgjedhës të Çmimit Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri 2020,i cili vlerëson institucionet, organizatat joqeveritare, median dhe biznesin, të cilët në punën e tyre kanë kontribuar në mbrojtjen dhe avancimin e të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Çmimi Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, është një vlerësim që i akordohet personave, institucioneve apo organizatave, të cilat përgjatë gjithë vitit 2020 i janë përkushtuar, kanë mbështetur, ndihmuar apo organizuar nisma, veprime apo aktivitete që kanë shpënë në mbrojtjen më të mirë apo avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Çmimi do të jepët në pesë kategori: Institucione, Politikanë, OJF, Media dhe Biznes – që kanë kontribuar për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, ndërkohë që ai shoqërohet edhe me 4 Çertifikata Mirënjohjeje thuajse në të njëjtat kategori. Fituesit e Çmimit për të Drejtat e Fëmijës, do të shpallen gjatë mengjesit të datës 20 Nëntor 2020, që përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës. Fituesit do të njoftohen nëpërmjet medias dhe në faqet zyrtare të CRCA/ECPAT Shqipëri në ëeb dhe në rrjetet sociale, ndërkohë që ndarja e Çmimeve dhe vlerësimeve do të bëhet në një ceremoni të posaçme të organizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri.
Për herë të parë Çmimi Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve është akorduar në vitin 2014, por nisur nga shqetësimet mbi gjendjen e të drejtave të fëmijëve në atë kohë, Bordi i Drejtorëve të CRCA Shqipëri vendosi ta pezullonte dhënien e këtij vlerësimi të rëndësishëm për një periudhë të pacaktuar.
Lancimi i tij në vitin 2020 përkon me situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe më pas pandemia e Covid gjatë vitit 2020. Nisur nga kjo gjendje, Bordi i Drejtorëve gjykoi se “janë këto lloj situatash apo fatkeqësish që nxisin një angazhim më të madh të komuniteteve, qytetarëve së bashku me organizatat dhe institucionet në nivel vendor dhe qëndror, për t’u bërë së bashku në mbrojtje të fëmijëve.”
Çmimi Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëvei CRCA/ECPAT Shqipëri ka për qëllim të evidentojë dhe fuqizojë misionin e të gjithë atyre që punojnë dhe i dedikohen çdo ditë mbrojtjes, kujdesit dhe avancimit të të drejtave të fëmijës, duke dashur të vlerësojë profesionalizmin, humanizmin apo zhvillimin e metodave dhe nismave të reja për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.
Shqipëria bën 28 vjet që ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së. Pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme që janë bërë në një sërë fushash, fëmijët vazhdojnë të mbeten viktimat kryesore të dhunës seksuale, trafikmit dhe shfrytëzimit për punë dhe varfërisë.


Detajet e Lajmit
November 4, 2020
310
Kategoria