Crca Propozon Ndryshime Në Kodin Penal!

Crca Propozon Ndryshime Në Kodin Penal!

Tiranë, 22 Shkurt 2013 - Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, dorëzoi sot pranë zyrës së Avokatit të Popullit propozimet e saj për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Propozimet ligjore që janë paraqitur në këtë dokument kanë si qëllim të sjellin ndryshime në disa aspekte specifike të një serë veprash penale të kryera ndaj fëmijëve.

Dokumenti i paraqitur sot nga CRCA vë theksin në rëndësinë e ndërtimit të një politike penale të drejtë për të ndëshkuar, por edhe eleminuar çdo formë të dhunës seksuale ndaj fëmijëve prej të rriturve (Nenet 100-106), si dhe për të rritur sigurinë e fëmijëve dhe publikut që shteti merr masa parandaluese ndaj të gjithë pedofilëve që ata të mos kryejne krime të tjera seksuale kundër fëmijëve.

Rëndësi shumë të madhe CRCA i ka dedikuar Nenit 117 në lidhje me pornografinë e fëmijëve. Dënimi i pornografisë së fëmijëve jo vetëm që duhet ashpërsuar (dënim deri në 5 vjet), por duhet që të gjitha materialet pornografike të prodhuara, pavarësisht formës apo edhe mënyrës së shpërndarjes, të sekuestrohen dhe asgjesohen. Ngritja e një Rregjistri të Krimeve Seksuale sipas CRCA-së, duke marrë shembull Britaninë e Madhe, është i një rëndësie themelore për të parandaluar çdo pedofil që të punojë apo të ketë akses në mjedise ku ka fëmijë, si dhe njoftimin e prindërve nëse një person i tillë jeton në një lagje ku ka fëmijë.

Ndryshime të tjera janë propozuar përsa i përket Nenit 124/b që dënojnë çdo person që keqtrajton/dhunon fëmijën "me anë të  rrahjes, torturës, shkundjes, djegies, goditjes, pickimit, përdorimit të substancave, kërcënimit, presionit, kafshimit ose mbytjes së fëmijës nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor, të afërmit ose çdo person tjetër që e ka për detyrë të kujdeset për fëmijën", dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Reformimi i Kodit Penal me fokus forcimin e politikës penale, dhe ashpërsimin e sanksioneve të veprave penale të këqtrajtimit, shitjes dhe shfrytëzimit të fëmijëve për punë është një nga rekomandimet kryesore që Komiteti për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së i bëri Shtetit Shqiptar në 2012. Me anë të këtij dokumenti CRCA mbështet nismën e Avokatit të Popullit i cili në muajin shkurt i bëri thirrje shoqërisë civile të jepte kontributin e saj në përmirësimin e sistemit penal të Republikës së Shqipërisë.

Donors and Partners

         

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL