CRCA i prezanton Komisionit të Ligjeve në Kuvend kërkesat e saj për ndryshime në Kodin Penal

CRCA i prezanton Komisionit të Ligjeve në Kuvend kërkesat e saj për ndryshime në Kodin Penal

Tiranë, 09 Prill 2013- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut propozimet e saj për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. 

Gjatë mbledhjes së sotme Komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me ndryshimet në projekt-ligjin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Propozimet ligjore që janë paraqitur sot nga CRCA kanë si qëllim të sjellin ndryshime në një serë veprash penale të kryera kundër fëmijëve.

Kërkesat e prezantuara sot e vënë theksin në rëndësinë e ndërtimit të një politike penale të drejtë për të dënuar, por edhe eleminuar çdo formë të dhunës seksuale ndaj fëmijëve prej të rriturve (Nenet 100-106), si dhe për të rritur sigurinë e fëmijëve dhe publikut, duke kërkuar që shteti të marrë masa parandaluese ndaj të gjithë pedofilëve që ata të mos kryejne krime të tjera seksuale kundër fëmijëve.

Rëndësi të madhe i është dedikuar Nenit 117 në lidhje me pornografinë e fëmijëve. Dënimi i pornografisë së fëmijëve jo vetëm që duhet ashpërsuar, por duhet që të gjitha materialet pornografike të prodhuara, pavarësisht formës apo edhe mënyrës së shpërndarjes, të sekuestrohen dhe asgjesohen.

Ngritja e Rregjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale sipas CRCA-së, duke marrë shembull Britaninë e Madhe, është i një rëndësie themelore për të parandaluar çdo pedofil që të punojë apo të ketë akses në mjedise ku ka fëmijë, si dhe njoftimin e prindërve nëse një person i tillë jeton afër apo në një mjedis ku ka fëmijë. 

Ndryshime janë propozuar edhe në Nenin 124/b që dënon çdo person që keqtrajton/dhunon fëmijën “me anë të rrahjes, torturës, shkundjes, djegies, goditjes, pickimit, përdorimit të substancave, kërcënimit, presionit, kafshimit ose mbytjes së fëmijës nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor, të afërmit ose çdo person tjetër që e ka për detyrë të kujdeset për fëmijën”.

Reformimi i Kodit Penal me fokus forcimin e politikës penale, dhe ashpërsimin e sanksioneve të veprave penale të këqtrajtimit, shitjes dhe shfrytëzimit të fëmijëve për punë është një nga rekomandimet kryesore që Komiteti për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së i bëri Shtetit Shqiptar në 2012.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL