Fëmijët raportojnë: Dhunë në familje, dhunë në shkollë dhe probleme me bashkëmoshat

Fëmijët raportojnë: Dhunë në familje, dhunë në shkollë dhe probleme me bashkëmoshat

Tiranë, 14 Qershor 2013 ALO 116 - Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë në Shqipëri, në bashkëpunim me CRCA, UNICEF dhe kompanitë celulare, prezantoi sot në një konferencë të dhënat vjetore dhe 4-vjeçare të linjës së vetme kombëtare 24/7 në ndihmë të fëmijëve në vend. Ky prezantim synoi të sjellje në vemendje ato çështje që fëmijët sot vlerësojnë si problemet më kryesore në jetën e tyre, si dhe ndarja me publikun e gjerë e raportit të plotë dhe të kategorizar të të dhënave të ALO 116.

ALO 116, është një shërbim unik në dispozicion të fëmijëve në të gjithë vendin. Ai synon ti përgjigjet fëmijëve në momentet më të vështira të jetës së tyre, me anë të këshillimit për problemet dhe shqetësimet e tyre, informimit në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe referimit në shërbimet për të cilat fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë.

Që prej hapjes së saj më 1 qershor 2009, ALO 116 i është përgjigjur 477.066 telefonatave dhe ka trajtuar 12.346 raste. Nga këto mund të veçojmë 867 raste ku fëmijët kanë raportuar forma të keqtrajtimit dhe dhunës në familje; 1553 raste kanë raportuar probleme në shkollë; 5083 raste kanë raportuar probleme në marrëdhëniet me njëri-tjetrin; 2156 raste të fëmijëve kanë folur për marrëdhëniet problematike në familjet e tyre dhe problemet e divorcit në familje; 141 raste kanë raportuar forma të shfrytëzimit për arsye përfitimi. Gjatë këtyre 4 viteve ALO 116 000 - Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur ka punuar mbi 11 çështje fëmijësh të zhdukur, ku 6 janë zgjidhur dhe 5 mbeten ende sot të hapura dhe pa një zgjidhje definitive.

Ndryshe nga vitet e tjera, ALO 116, këtë vit prezantoi një raport të gjerë dhe të plotë mbi problemet kryesore të fëmijëve në Shqipëri, si: dhuna në familje, dhuna në shkolla, bullizmi, dhe fëmijët e humbur. Gjatë periudhes Janar - Dhjetor 2012, ALO 116 i është përgjigjur 99.203 telefonatash ku qytetet me numrin më të lartë të telefonatave janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Korça.

Gjatë 2012, ALO 116 ka trajtuar:

  • 1.971 telefonata për këshillim, ku 53% e tyre janë meshkuj dhe 47% janë femra;
  • 705 raste të trajtuara mbi problematikën“marrëdhënie mes njeri tjetrit” dhe 311 mbi marrëdhëniet afektive;
  • Marrëdheniet familjare zënë 18% të rasteve të trajtuar, ku nënkategoria me e raportuar i përket marrdhënieve prind-fëmijë me 215 raste të trajtuara dhe pas kësaj renditet marrëdhënia vllazërore me 43 raste të trajtuara;
  • Problemet në shkollë zënë 10% të rasteve të raportuara nga fëmijët, ku 58 raste i përkasin problemeve me mësuesit dhe 42 ankthit mbi përformancën;
  • 8% e çështjeve të raportuara i përkasin kategorisë abuzim dhe dhunë me 160 raste, ku 53% janë raportuar nga telefonues të gjinisë femërore dhe 47% gjinisë mashkullore;
  • 117 raste të trajtuara ose 73% e rasteve të kësaj kategorie kanë lidhje me abuzimin fizike, seksual dhe bulizmin;
  • 7% e rasteve të trajtuara i përkasin kategorisë shëndet mendor/psikosocial me 144 raste tëtrajtuara. 63% janë raportuar nga fëmijë dhe të rinj të gjinisë femërore dhe 37% nga fëmijë dhe të rinj të gjinisë mashkullore. Nënkategoritë më të raportuara janë mërzitje, frikë/ankth dhe depression me 71 çështje të trajtuara;
  • 49 telefonata për referim në institucionet e pavarura dhe organizatat jo-qeveritare me të cilat bashkëpunon.

Për më shumë info:

www.alo116.al

https://www.facebook.com/ALO116 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL