Web-forum mbi sfidat e të rinjve shqiptarë drejt rrugës së Bashkimit Europian!

Tiranë, 15 Maj 2020 – Shqipëria vetëm para disa javësh, mori ftesën e shumëpritur të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Ky vendim, përveç anës pozitive për të gjithë të rinjtë në vend, përkthehet edhe në sfida, faktorë që duhen zgjidhur dhe vendimarrje e llogaridhënie politike. Përshtatja e të rinjve shqiptarë me standartet europiane, niveli ekonomik, arsimor, punësimi dhe vlefshmëria politike me klasën në të cilën po renditet rinia shqiptare, të gjitha këto, janë disa prej pikëpyetjeve që çdo i ri dhe e re, i drejton vetes dhe komunitetit.
Për të diskutuar në trajta profesionale dhe për të bërë të mundur jo vetëm mbështetjen e të rinjve në Shqipëri, por edhe përfaqësimin dhe integrimin e tyre në Bashkimin Europian, ANYN, CRCA dhe YRCA, organizuan së bashku një web-forum.
Ky takim online, kërkoi të bashkërendisë në llogaridhënie dhe bashkëpunim, institucionet më të larta të vendit, duke nisur nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Bashkitë dhe Organizatat Rinore të shoqërisë civile.
Gjithashtu ky Web-Forum u shndërrua në një hapësirë profesionale diskutimesh mbi fushat të cilat prekin të rinjtë shqiptarë, siç është arsimi, ekonomia, papunësia, shëndetësia, përfaqësimi i tyre në vendimmarje duke i’u referuar modelit që zbaton Bashkimi Europian. Web-Forumi  u ndoq nga përfaqësues të Parlamentit Europian, atij të Shqipërisë, Forume rinore politike, Ministria e Jashtme, pushteti vendor dhe nga të rinj e të reja, gjimnazistë, studentë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Duke festuar Ditën e Europës, ANYN, CRCA dhe YRCA, kërkojnë që përmes këtij forumi online, të nxisin dialogun dhe pjesëmarrjen e të rinjve për çështje rinore dhe Bashkimit European si dhe të krijojnë një klimë të përfshirjes aktive të të rinjve në iniciativa që mbështesin mundësi të barabarta në arsim, mobilizim, punësim dhe promovim të pjesëmarrjes së të rinjve.


Detajet e Lajmit
May 15, 2020
262
Kategoria