Maliq, 28 Mars 2024 – Të rinjtë e të rejat në Bashkinë Maliq diskutuan sot me Sekretaren e Përgjithshme të Bashkisë Maliq dhe ekipin e kësaj bashkie, prioritetet e të rinjve për Planin Vendor Rinor. Rreth 30 të rinj e të reja, anëtarë të Këshillit Rinor Vendor, iu bashkuan takimit, i cili u organizua në formatin e Townhall meeting në Sallën e Këshillit Bashkiak. Takimi u lehtësua nga nga stafi dhe ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri.

Të rinjtë në fillim diskutuan dhe identifikuan sfidat dhe problemet me të cilat ata përballjen, sin ë zonën urbane ashtu edhe në zonat rurale dhe më pas i diskutuan sfidat dhe zgjedhjet që ata kishin përgatitur së bashku me drejtuesit e Bashkisë.

Ndër sfidat kryesore të evidentuara nga të rinjtë dhe që u diskutua gjatë takimit ishin mungedsa e qendrës rinore në qytet, mungesa e transportit publik për të rinjtë që jetojnë në fshat, mungesa e laboratorëve në shkolla, aktivitetet e pakta rinore në qytet si dhe mungesa e buxhetit për aktivitete rinore. Me të rinjtë u ra dakord, që në kuadër të nismës së CRCA të mbështetur nga AKR të organizohet një event i përbashkët për të rinjtë e të rejat nga e gjithë Shqipëria.

Organizimi i këtij dialogu në formën e një Townhall Meeting – është një qasje që tashmë është bërë pjesë e diskursit shoqëror në Shqipëri, ku nga njëra anë të rinjtë prezantojnë shqetësimet dhe sfidat e tyre, ndërkohë që më pas Kryetari i Bashkisë dhe ekipi drejtues në Bashki, deputetë, anëtarë të këshillit bashkiak etj., ndajnë mendimet e tyre sesi mund të adresohen dhe zgjidhen këto çështje së bashku me të rinjtë.

Në Tetor 2023, CRCA/ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, filloi zbatimin e nismës “Shërbime Rinore me një Ndalesë” që ka si synim kryesor integrimin e të rinjve në shoqëri, arsim dhe punësim përmes një modeli shërbimesh shumë-sektoriale, në bashkitë: Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll. Pjesë e nismës është edhe përgatitja e Planeve Vendore për të Rinjtë. Qëllimi është që përgjatë procesit të konsultimeve dhe takimeve të ravijëzohen elementet kryesore të planeve vendore për rininë, të cilat më pas do të kalojnë për diskutim dhe miratim në Këshillin Bashkiak.

Për më shumë informacion kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

crca@crca.al


Detajet e Lajmit
March 28, 2024
459
Kategoria