Bilisht, 29 Mars 2024 – Të rinjtë e të rejat në Bashkinë Devoll diskutuan sot në qytetin e Bilishtit me nën-kryetaren e Bashkisë Pogradec, znj. Zerina Sinani dhe stafin e saj, prioritetet e të rinjve për Planin Vendor Rinor. Prezent në takim ishte edhe nën-Prefekti i Qarkut Korçë z. Henrik Rusi. Takimi u lehtësua nga stafi dhe ekspertët e CRCA Shqipëri.
Rreth 100 të rinj e të reja nga Këshilli Rinor Vendor dhe shkollat e mesme si nga qyteti ashtu edhe nga fshatrat, iu bashkuan takimit, i cili u organizua në formatin e Townhall meeting në Qendrën e Re Multifunksionale në Bilisht, ku të rinjtë në fillim identifikuan sfidat dhe problemet me të cilat ata përballen dhe më pas i diskutuan zgjedhjet së bashku me drejtuesit e Bashkisë.
Ndër sfidat kryesore të evidentuara nga të rinjtë dhe që u diskutua gjatë takimit ishin mungesa e qendrës rinore në qytet, mungesa e transportit publik për të rinjtë që jetojnë në fshat, mungesa e mjediseve sportive dhe laboratorëve në shkolla, aktivitetet e pakta rinore në qytet si dhe mungesa e buxhetit për aktivitete rinore. Me të rinjtë u ra dakord, që në kuadër të nismës së CRCA të mbështetur nga AKR të organizohet një event i përbashkët për të rinjtë e të rejat nga e gjithë Shqipëria.
Në Tetor 2023, CRCA/ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, filloi zbatimin e nismës “Shërbime Rinore me një Ndalesë” që ka si synim kryesor integrimin e të rinjve në shoqëri, arsim dhe punësim përmes një modeli shërbimesh shumë-sektoriale, në bashkitë: Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll. Pjesë e nismës është edhe përgatitja e Planeve Vendore për të Rinjtë. Qëllimi është që përgjatë procesit të konsultimeve dhe takimeve të ravijëzohen elementet kryesore të planeve vendore për rininë, të cilat më pas do të kalojnë për diskutim dhe miratim në Këshillin Bashkiak.
Për më shumë informacion kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri