Prishtinë 24-25 Shkurt 2023 – “Bashkë Për Gjithëpërfshirje” është projekti që CRCA/ECPAT Shqipëri e zbaton në partneritet me organizatën EdGuard nga Kosova dhe Qendrën për Edukim dhe Zhvillim – CED nga Maqedonia e Veriut. Nisma ka si synim përfshirjen e të gjithë fëmijëve pa dallim race, gjinie, etnie, nevoje të veçantë e çdo dallim tjetër, në shkollën më të afërt publike. Integrimi I fëmijëve në shkollat standarte publike konsiderohet si një hap rëndësishëm drejt përfshirjes sociale të fëmijëve me nevoje të veçanta në arsim dhe një metodë e suksesshme krahasuar me vendosjen e fëmijëve në shkolla të ndara vetëm për ta.
Në kuadër të këtij projekti, 12 mësues nga Shqipëria të mbështetur nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe 12 mësues nga Maqedonia e Veriut, zhvilluan vizitën e parë studimore në Prishtinë, në datat 24-25 Shkurt 2023. Në ditën e parë mësuesit u pritën në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, ku shkëmbyen eksperiencat e punës së tyre me kolegë nga Kosova. U shqyrtua ideja e një plani për Gjithëpërfshirjen e Fëmijëve, ku rol te veçantë në këtë drejtim luajnë të gjithë mësuesit, psikologët, punonjësit socialë apo edhe “mësuesi udhëtues”, i cili është një drejtim i ri profesional që po zhvillohet në arsimin publik në Kosovë.
Znj. Luljeta Kabashi, Drejtore e Divizionit për Arsim Gjithëpërfshirës në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, zhvilloi një sesion informues mbi politikat dhe legjislacionin mbi gjithëpërfshirjen, trajtimin e nxënësve dhe integrimin e tyre. Mësuesit ndanë eksperiencat e vendeve të tyre.
Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Prishtinë, takimi u zhvillua në Shkollën 9-vjeçare “Qamil Batalli” në Prishtinë, e konsideruar si një shkollë model. Drejtori I shkollës, z. Liridon Maliqi dhe stafit pedagogjik prezantuan modelin e organizimit të shkollës gjithëpërfshirëse dhe programit të mësimdhënies, që vendos në qendër nxënësin, zhvillimin e pasioneve të tyre, krijimtarisë, vëmendjen që i jepet punës praktike, duke nxitur kështu motivimin, dhe mësim-nxënien efektive.
Këto dy ditë pune në Prishtinë, evidentuan një sërë praktikash pozitive tek të gjithë mësuesit, duke i nxitur ata për krijimin e praktikave të reja dhe projekte të përbashkëta ndërmjet tyre. Takimi i radhës ndërmjet mësuesve do të mbahet në Tetovë, ndërsa në Shqipëri do të zhvillojmë takimin përmbyllës i të tre shteteve, në muajin Prill.