ISIGURT.AL: 40% e faqeve pornografike të raportuara gjatë vitit 2020 janë me fëmijëve shqiptarë

ISIGURT.AL: 40% e faqeve pornografike të raportuara gjatë vitit 2020 janë me fëmijëve shqiptarë

Pandemia “ekstremizoi” dhunën seksuale, pornografinë dhe kërcënimet te fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri

Tiranë, 9 Shkurt 2021 – Në Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, ISIGURT.AL, Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, paraqitën për të tretin vit radhazi situatën e incidenteve të ndeshura nga fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri, të raportuara në Platformën Kombëtare www.ISIGURT.AL përgjatë vitit 2020.

Raporti i 3-të Kombëtar “Të përdhunuar në internet: Industria e Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”, bazohet në të dhënat e Platformës Kombëtare për Internet të Sigurt, Linjës Kombëtare të Telefonit të Ndihmës për Fëmijët ALO 116-111, si dhe Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri.

Raporti paraqet një situatë tejet kritike për gjendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve, gjatë vitit 2020, që përkon edhe me mbylljen për shkak të pandemisë globale të Covid-19.

Sipas Platformës ISIGURT.al:

  • Numri i faqeve të raportuara të pornografisë me fëmijë ka shënuar një shifër rekord prej 6273 faqe , ose një 600-fishim të tyre, krahasuar me një vit më parë;
  • 40% të rasteve të faqeve pornografike, videove apo edhe imazheve me të njëjtën përmbajtje janë me fëmijë shqiptarë, ndërsa mbi 60% e rasteve të pornografisë me fëmijë i përkasin fëmijëve jo shqiptarë, por të aksesueshme nga fëmijët dhe adoleshentët në vend;
  • Raportimet kundër platformave dhe portaleve në gjuhën Shqipe këtë vit janë rritur me mbi 8 %.
  • Mosha më e prekur e fëmijëve dhe adoleshentëve nga incidentet në internet është grup-mosha 15-17 vjeç, e cila përbën rreth 40% të të gjithë ankimeve të ardhura në Platformë.
  • Instagrami paraqitet si platforma më me shumë incidente të raportuara ndaj fëmijëve dhe të rinjve me 52%, e ndjekur nga Youtube dhe Facebook me 17% dhe 15%.
  • Durrësi, Korça, Pogradeci dhe Gjirokastra renditen ndër qytetet me më pak raportime për incidente në internet.
  • Platforma Kombëtare (Hotline) www.ISIGURT.alka marrë përgjatë vitit 2020 rreth 17.000 vizita në webin e saj, gjë kjo që reflekton jo vetëm gjerësinë në shtrirjen e saj, por edhe mundësinë e madhe që paraqet ajo për të denoncuar incidentet e internetit të pasigurtë nga fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe të interesuarit.

Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizoi një situatë që kërkon një analizë më të thellë por edhe bashkëveprim urgjent të organizatave dhe institucioneve: “Fakti se viti 2020 ka shënuar një rritje të konsiderueshme të numrit të raportimeve të të rinjve mbi 18 vjeç, me rreth 31% e të gjithë raportimeve, ngre shqetësimin se edhe të rinjtë në këtë moshë kanë filluar të bëhen “pre” e kërcënimëve, dhunës seksuale dhe shantazhit online etj. Kjo na vendos përballë sfidave të reja për të zgjeruar mbrojtjen ligjore të dëmeve që interneti po sjell tek individët, shoqëria, por edhe më gjerë.”

Raporti i 3-të Kombëtar “Të përdhunuar në internet: Industria e Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”, rendit një sërë rekomandimesh në lidhje me institucionet, organizatat dhe sidomos industrine e internetit! Rekomandimi kryesor i raportit është se Shqipëria duhet që urgjentisht të miratojë një ligj të vecantë për të trajtuar cështjen e dëmeve dhe dëmtimeve që bëhen online.

Gjetjet dhe rekomandimet e Raportit u prezantuan në Forumin e përvitshëm on-line, pjesëmarrës të të cilit ishin përfaqësues nga institucionet shtetërore, shoqëria civile, mbrojtës të të drejtave të fëmijëve dhe përfaqësues të industrisë së internetit. Dita Ndërkombëtare e Internetit të Sigurt, është një ngjarje globale, ku marrin pjesë mbi 170 shtete në botë.

 

Për më shumë informacion, kontaktoni:

ISIGURT.AL ose CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: isigurt@isigurt.al   ose crca@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL