Ekspert për kostimin e ofrimit të shërbimeve të integruara për fëmijët viktima të dhunës seksuale

Ekspert për kostimin e ofrimit të shërbimeve të integruara për fëmijët viktima të dhunës seksuale

TERMA REFERENCE

 

Pozicioni:

Ekspert për kostimin e ofrimit të shërbimeve të integruara për fëmijët viktima të dhunës seksuale

Punëdhënës:

BARNAHUS ALBANIA - CRCA/ECPAT Shqipëri

Kohëzgjatja:

8-10 ditë pune

 

CRCA/ECPAT Shqipëri është organizata më e vjetër joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, që punon prej 24 vjetësh për të nxitur respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, për t’i mbrojtur ata nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi, për të zhvilluar të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në nivelin kombëtar dhe lokal, nëpërmjet avokatësisë, përmirësimit të politikave dhe legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve, informimit dhe studimeve, si dhe krijimit të modeleve të mira të shërbimeve për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve.

Në kuadër të veprimtarisë së BARNAHUS Shqipëri, CRCA/ECPAT po kërkon të kontraktojë një Ekspert për hartimin e një studimi rreth kostove për ofrimin e shërbimeve sociale të integruara fëmijëve viktima të dhunës seksuale në Shqipëri.

 

HYRJE

E drejta për mbrojtjen sociale është një e drejtë themelore e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, ku ndër të tjera Neni 52.2. thekson se “Çdo person që për arsye të mos dëshirës së tij/saj humbet punën dhe nuk ka mjete të tjera mbështetjeje, ka të drejtën për ndihmë sociale, sipas kushteve që parashikon ligji”.

Dokumenti Politik i Përfshirjes Sociale (DPPS) 2016-2020, përbën një ndër dokumentat e rëndësishëm të Qeverisë Shqiptare, që garanton një sistem bashkëkohor e të përgjegjshëm për vlerësimin e përfshirjes sociale në politika të ndryshme sektoriale.

Në nëntor të vitit 2016, pas 4 vitesh pune intensive, Qeveria Shqiptare miratoi Ligjin për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror dhe hodhi themele të një sistemi me shërbime të integruara për familjet dhe fëmijët si edhe vendosi objektiva të qarta për të ndërtuar një sistem të konsoliduar dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale në Shqipëri. Ligji detyron pushtetin qendror dhe vendor për të mbuluar shërbimet e përkujdesit social dhe për të ngritur Fondin Social si një linjë e ndarë buxhetore për të financuar këto shërbime, që transferohen tek njësitë e qeverisjes vendore (NJQV).

Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve është instrumenti kryesor ligjor i ndërtuar në frymën e Kushtetutës dhe KDF, i cili përcakton liritë, të drejtat e fëmijëve, strukturat përgjegjëse për zbatimin e tyre dhe rolin konkret të punonjësve socialë dhe profesionistëve të tjerë për mbrojtjen e fëmijëve. Punonjësi social do të ketë referimin më të gjerë në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij, sidomos në rastet e potikave dhe planeve të mbrojtjes së fëmijës.

 

PËRSHKRIMI I SHËRBIMIT

Dhuna ndaj fëmijëve, dhe mbi të gjitha dhuna seksuale, është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues. Sipas statistikave zytare gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur mbi 300 sulme seksuale ndaj fëmijëve. Ato kanë patur një trend konstant rreth 60 raste në vit, por dhuna seksuale mendohet të jetë në shifra më të larta pasi fëmiët për shkak të frikës, mosbesimit ndaj institucioneve, mungesës së informacioneve nuk e raportojnë atë. Krimet seksuale me të miturit, sipas statistikave zënë rreth 62% të totalit të krimeve të kësaj natyre.

Shërbimet për parandalimin e dhunës seksuale dhe trajtimin e rasteve thuajse mungojnë.Në shumicën e rasteve shërbimet që ofrohen janë të kufizuara. Sipas një raporti vlerësimi të Barnahus Shqipëri, fëmijët që i mbijetojnë dhunës seksuale marrin shërbimin psikologjik dhe ligjor, ndërsa shërbime të tjera thuajse nuk ekzistojnë dhe nuk ofrohen. Si Qeveria ashtu edhe Bashkitë nuk buxhetojnë për ofrimin e shërbimeve për fëmijët viktima të dhunës seksuale.Në vitin 2018 u ngrit pranë QSUT Tiranë, një qendër multidisiplinare 72 orëshe, për viktimat e dhunës seksuale, ku marrin shërbime edhe të miturit.

Prej 3 vitesh tashmë, CRCA/ECPAT po zbaton Modelin e Barnahus, si të vetmin vend ku shërbimet komunitare shoqërore dhe ligjore u vihen në dispozicion fëmijëve dhe adoleshentëve viktima të dhunës seksuale.

Në vijim të punës për mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për fëmijët viktima të dhunës seksuale, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon të kontraktojë një ekspert për të hartuar një raport analitik të kostove që do të duhen për të bërë të mundur krijim dhe funksionimin e një qendre të shërbimeve të koordinuara për fëmijët që i mbijetojnë dhunës seksuale në nivel qendre të madhe urbane dhe të një qendre të vogël urbane.

 

QËLLIMI I EKSPERTIZËS

Modeli i Barnahus, i zbatuar në 22 shtete në Europë, ka një qëllim të dyfishtë, lehtësimin e procesit ligjor dhe siguron që fëmija merr mbështetjen dhe trajtimin e nevojshëm cilësor dhe efektiv në kohë. Modeli Barnahus ofron shërbimet bazuar në  konceptin e 4-Dhomave, ku secila prej tyre ka një funksion të caktuar:

  • Hetimi penal(Polici, Prokurori, Avokati)
  • Bashkëpunimi dhe mbrojta e fëmijës(Shërbimet psiko-sociale dhe ato mbështetëse që përgjithësisht ofrohen nga Bashkitë dhe OJF-të)
  • Shëndeti (Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Autoritetit Shëndetësor)
  • Shëndetimendor (Ministria e Shëndetësisë / Bashkitë)

Të gjitha këto shërbime bazë mbulohen nga institucione të ndryshme në Shqipëri dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre, jo gjithmonë është i lehtë apo i mundur, edhe për shkak të mungesës së ekspertizës apo ndonjëherë edhe për shkak të konjukturave buxhetore.

Bazuar në Modelin e Barnahus, nëpërmjet kësaj ekspertizë synohet të arrihet një përllogaritje financiare rreth ofrimit të shërbimeve bazuar në 2 skenarët e mëposhtëm:

Modeli 1: Hapja e Barnahus pranë një qendre shëndetësore ekzistuese, ku  mjekët, shërbimi psikologjik janë të pranishëm 24/7 dhe intervistimi i fëmijës/adoleshentit viktimë e dhunës seksuale bëhet në mjedis të përshtatur sipas standarteve të Barnahus brenda qendrës, por shërbimet e tjera si hetimi etj ofrohen sipas nevojes (oncall).

Modeli 2: Hapja e një qendre të mirëfilltë të Barnahus, ku të gjitha institucionet dhe organizatat bashkëpunojnë dhe ndajnë kostot e mbulimit të çdo shërbimi, sipas përgjegjësisë së tyre, përfshi edhe faktin se kush do të paguajë apo kujdeset për kostot e ndërtesës / hapësirës. Gjatë analizës së këtij modeli, vëmendje të veçantë duhet ti kushtohet analizës së kostove të personelit, ndërtesës, mjetet e punës paisjet etj.

Nëpërmjet zhvillimit të punës kërkimore rreth shërbimeve dhe buxheteve respektive që alokohen nga shteti shqiptar për mbrojten e fëmijëve nga dhuna seksuale dhe riintegrimin e tyre të sigurt në shoqëri, zhvillimin e intervistave me institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile që ofrojnë mbështetje për fëmijët viktima të dhunës seksuale dhe familjarëve të tyre, synohet të arrihet në një përllogaritje financiare rreth kosotve të shërbimeve që janë të nevojshme për të mbështetur fëmijët dhe familjarët e tyre për të kaluar traumën dhe siguruar një ri-integrim të shëndetshëm në shoqëri.

Kjo ekspertizë kërkon të dokumentojë gjiashtu nivelin në të cilin shpenzon sot qeveria Shqiptare për fëmijët në fushën e mbrojtes sociale dhe shëndetësisë.  Njohja e kostove të shërbimeve që u ofrohen fëmijve viktima të dhunës seksuale i lejon politikë-bërësit të masin efektivitetin e programeve që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe interesin e tyre më të lartë.

Bazuar në modelin e 4 Dhomave gjatë hartimit të ekspertizës së kërkuar duhet të kihet parasysh:

  • Analiza e buxhetit të shtetit për institucionet kryesore të përmendura më sipër për 3 vitet e fundit;
  • Marrje informacioni dhe intervistë nga drejtues të departamentit të shërbimeve shoqërore / politikave sociale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për shpenzimet në qendrat shëndetësore / qendrat komunitare të shërbimeve sociale;
  • Intervistë me drejtues të Agjensisë Shtetërore për Mbrojen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Qendra LILIUM;
  • Intervista me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë rreth aksesit në ndihmën juridike, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit  dhe me Dhomën Kombëtare të Avokatisë;
  • Aktorë të Shoqërisë Civile që ofrojnë mbështejte direkte për fëmijmt viktima të dhunës seksuale;
  • Zhvillimi i intervistave me drejtues në nivel vendor të Shërbimeve Shoqërore në Bashki, Shërbim Shëndetësor Rajonal etj.

 

FUSHA E EKSPERTIZËS

  • Zhvillim të studimeve të ngjashme në fushën e analizës buxhetore apo kostimin e shërbimeve;
  • Njohuri rreth bazës ligjore vendase për mbrojtjen e fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve sociale të integruara.
  • Njohuri rreth sistemit të mbrojtjes së fëmijëve

 

KUALIFIKIMET

Eksperti duhet të zotërojë:

  • Diplomë universitare në fushën e shkencave ekonomike, sociale, juridike ose të përafërta me to;
  • Njohuri të kornizës së legjislacionit për të drejtat e fëmijmve dhe shërbimeve shoqërore, legjislacionit për vetëqeverisjen vendore etj.
  • Të ketë të paktën 5 vite eksperiencë në zhvillimin e studimeve, analizave buxhetore dokumentave, dhe ofrimin e asistencës teknike, në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mënyrë të veçantë mbrojes së fëmijëve.
  • Mundësisht të ketë eksperienca të mëparshme të bashkëpunimit me CRCA Shqipëri;

 

PROÇEDURA E APLIKIMIT

Aplikantët e interesuar për këtë pozicion duhet të dërgojnë:

  • CV e tyre apo të kompanisë/organizatës (nëse aplikojnë si institucion duhet dërguar edhe CV e studiuesit kryesor)
  • Letër e shprehjes së interesit
  • Ofertën financiare për zhvillimin e ekspertizës (në total)

 

DEKLARATA E MUNDËSIVE TË BARABARTA DHE KONFLIKTIT TË INTERESIT

CRCA/ECPAT Shqipëri bën të pamundurën për të eleminuar konfliktet e interesit ndërmjet antarëve të stafit të saj dhe kandidatëve për punësim CRCA/ECPAT Shqipëri. Për këtë qëllim, çdo aplikant është i detyruar të njoftojë CRCA/ECPAT Shqipëri nëse ekziston një konflikt i tillë në e-mail që shoqëron dokumentacionin e aplikimit. Mos-njoftimi mund të përbëjë shkak për skualifikim.

CRCA/ECPAT Shqipëri është një organizatë që garanton mundësi të barabarta për punësim për këdo. Në mënyrë të posaçme ne nxisim gratë dhe vajzat, pjestarët e komuniteteve Rome, Egjyptiane, LGBTI etj që të aplikojnë për punësim.

 

BËNI KUJDES!

Çdo ndërhyrje pranë stafit ose menaxherëve të CRCA/ECPAT Shqipëri do të gjykohet si e papranueshme dhe aplikuesi do të skualifikohet automatikisht. Mungesa e dokumentacionit të plotë apo me gabime mund të shkaktojë skualifikimin e kandidatit. Vetëm kandidatët/et që do të konsiderohen të përshtatshëm do të njoftohen nëpërmjet kontakteve të vendosura në aplikim.

 

AFATI I DORËZIMIT TË DOKUMENTEVE

Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është data15 Shtator 2021

Dokumentat e mësipërme mund të dorëzohen vetëm nëpërmjet e-mail në adresën crca@crca.al  me një email të vetëm.

  

PYETJE DHE KONTAKTE

Për çdo pyetje që mund të keni ju lutem kontaktoni në adresën e e-mail: crca@crca.al 

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL