Miratohet Ligji për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale

Miratohet Ligji për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale

CRCA/ECPAT Shqipëri: Kjo është një ditë historike për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale onlinë dhe në jetën e përditshme. Ne na lumturon fakti që ky ligj i propozuar nga ne u miratua me votat e të gjithë deputetëve! Tashmë kemi një thirrje: Kujdes kush guxon të prekë fëmijët!

Tiranë, 21 korrik 2022 – Me 124 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë sot në mbrëmje vonë miratoi Ligjin për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale. Me këtë nismë Shqipëria ndërmerr hapin e parë serioz në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna seksuale. Ligji bazohet gjerësisht në draftin e përgatitur nga ekspertët më të mirë të CRCA/ECPAT Shqipëri.

Miratimi përfundimtar i këtij ligji, të dorëzuar si nismë legjislative nga deputetja Erisa Xhixho dhe të përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipër, bëri së bashku shoqërinë civile, qytetarët, deputetet dhe institucionet me qëllimin e përbashkët për krijimin e një mekanizmi kombëtar për monitorimin e të gjithë personave që kryejnë krime seksuale.

Në vigjile të miratimit të ligjit nga Kuvendi i Shqipërisë, Altin Hazizaj - Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri, tha: “Sot është një ditë historike për Shqipërinë! Tani të gjithë ata që marrin kurajon të prekin a dhunojnë seksualisht një fëmijë apo një të rritur, duhet të mendohen mirë! Ata nuk i pret vetëm burgu, por një jetë e tërë nën monitorimin e policisë dhe publikut!”.

Qëllimi i ligjit është që të mbrojë çdo person nga krimet seksuale, sidomos fëmijët, me fokus kryesor parandalimin e krimeve seksuale. Thuajse 80 për qind e krimeve seksuale në Shqipëri kryen kundër fëmijëve dhe adoleshentëve.

Me miratimin e këtij ligji për CRCA/ECPAT Shqipëri përmbyllet me sukses një përpjekje nëntë vjeçare për ta bërë regjistrin e të dënuarve një realitet. Në këtë kuadër, CRCA/ECPAT Shqipëri falenderoi të gjithë deputetet që bënë të mundur miratimin e ligjit: Erisa Xhixho, Ermonela Felaj Valikaj, Grida Dume, Klotilda Bushka, Bora Muzhaqi, Ogerta Manastirliu, si dhe ish-deputetet Nora Malaj dhe Fatjona Dhimitri.

Ligji “Për Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për krime seksuale” u propozua për herë të parë në vitin 2013, por në atë kohë Kuvendi vetëm ndryshimet e propozuara në Kodin Penal. Në vitin 2019 nisma u risoll për miratim nga deputetja Fatjona Dhimitri, por për shkak të zgjedhjeve parlamentare Kuvendi nuk pati kohën e nevojshme për ta shqyrtuar. Në vitin 2020, me konstituimin e parlamentit të ri, projekt-ligji u soll përsëri për miratim në Kuvend.

Për më tepër informacion, ju lutem kontaktoni në adresën:

CRCA/ECPAT Shqipëri,

e-mail; crca@crca.al

 

 

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL