Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të humbasë shansin për të mbrojtur fëmijët nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë!

Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të humbasë shansin për të mbrojtur fëmijët nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë!

DEKLARATË PËR SHTYP

Tiranë, 17 Korrik 2022 – Ditën e nesërme, Kuvendi i Shqipërisë dhe komisionet e tij, do të fillojnë shqyrtimin e projektligjit “Për krijimin e Regjistrimit Kombëtar”, të përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe të propozuar nga deputetja Erisa Xhixho, nën-Kryetare e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”. Sidoqoftë, varianti i Projekt-ligjit të shpërndarë këtë të premte nga ana e Kuvendit është tepër larg variantit origjinal, ndërkohë që ka lënë jashtë tij aspektet më të rëndësishme, që janë thelbësore për mbrojtjen e fëmijëve nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë.

CRCA/ECPAT Shqipëri nëpërmjet kësaj deklarate kërkon të përcjellë shqetësimin e saj se varianti i paraqitur i projektligjit është ende tepër larg standarteve të kërkuara dhe normave europiane për mbrojtjen e fëmijëve. Problemet kryesore që përmban varianti i Kuvendit, qendrojnë si më poshtë:

  1. Detyrimi i pedofilëve për të raportuar lëvizjen e tyre! Efekti parandalues i ligjit është hequr tërësisht, duke eliminuar qëllimin kryesor të tij, që është mbrojtja e fëmijëve nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë. Në variantin e paraqitur, të dënuarve për krime seksuale nuk ju kërkohet që të raportojnë lëvizjet e tyre si brenda ashtu edhe jashtë vendit, që është një ndër mënyrat kryesore të mbrojtjes së fëmijëve. Pedofilët dhe grabitqarët seksualë I kërkojnë viktimat e tyre shpesh larg vendbanimit të tyre, për të mos u identifikuar dhe për të mbetur të panjohur. Heqja e kërkesës për raportimin e levizjes, i jep mbrojtje vetëm pedofilëve, por jo viktimave!
  2. Largësia e vendbanimit të të dënuarve nga vendet ku ka përqendrim të fëmijëve. Në variantin e propozuar edhe ky parim është hequr, për shkaqe ende të panjohura. Është tepër e rëndësishme që të garantohet një mbrojtje minimale e fëmijëve nga pedofilët, të cilët mund ta përdorin afërsinë për të evidentuar dhe mashtruar viktimat e tyre. Ligji duhet të garantojë që pedofilët nuk e kanë vendodhjen e tyre pranë kopshteve e shkollave, apo mjediseve të tjera ku ka fëmijë.
  3. Eleminimi i detyrimit të punëdhënësve për të kërkuar vërtetimin nga çdo punë-kërkues dhe i punësuar. Në variantin e paraqitur nga Kuvendi, është hequr detyrimi i punëdhënësve për të kërkuar vërtetimin nga çdo i punësuar apo punëkërkues nëse është i regjistruar në Regjistër ose jo. Kjo prek thelbin e ligjit që është ndalimi i aksesit të pedofilëve dhe grabitqarëve seksualë në mjedise ku ka fëmijë dhe ndalimin e punësimit të tyre në vende ku ata mund të ushtrojnë marrëdhënie kontrolli dhe pushteti ndaj fëmijëve.
  4. Varianti i propozuar krijon një simbiozë të panevojshme të detyrave dhe përgjegjësive midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe asaj të Burgjeve.Kjo krijon jo vetëm rrezikun e mbivendosjes së detyrave funksionale, por nga ana tjetër i shton detyra e përgjegjësi përtej asaj që ka caktuar ligji për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Kjo e fundit nuk ka rol parandalues në veprimtarinë kriminale, ndërkohë që është një ndër detyrat kryesore të Policisë. Në bindjen tonë përfshirja e DPB në këtë ligj është e gabuar dhe mund të sjellë si pasojë uljen e veprimit parandalues të ligjit, dhe fokusimin në veprimet administrative.
  5. Varianti i propozuar ka eleminuar forcën prapa-vepruese të ligjit. Në variantin e propozuar nga CRCA të gjithë autorët e veprave penale në fushën seksuale që janë duke vuajtur dënimin në burg, të regjistrohen automatikisht në Regjistër. Kjo masë do t'i jepte mundësi autoriteteve që të zgjeronin hapësirat për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e krimit.
  6. E fundit, varianti i paraqitur për shqyrtim heq pa asnjë shpjegim detyrimin e shtetit për të mbuluar shpenzimet rehabilituese shëndetësore dhe psiko-sociale për të gjithë pedofilët e vetë-deklaruar. Kjo dobëson mundësinë e autoriteteve që të identifikojnë pedofilët që ende nuk kanë kryer krime, dhe nga ana tjetër trajtimin dhe rehabilitimin e tyre, gjë që do të shpinte në uljen e krimeve seksuale ndaj fëmijëve.

CRCA/ECPAT Shqipëri si organizata propozuese e këtij ligji, që në vitin 2013, i kujton Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë deputetëve se qëllimi kryesor i këtij ligji është të mbrojë fëmijët dhe jo pedofilët! Në bindjen tonë, mangësitë e evidentuara më sipër, nëse nuk përfshihen në ligj, do ta bënin këtë nismë ligjore të humbiste qëllimin dhe vlerat e saj. Për më tepër ato nuk do të ndihmonin autoritetet të luftonin krimet seksuale dhe të mbronin viktimat! Jemi ende në kohë që së bashku të punojmë për një ligj që mbron fëmijët dhe familjet tona!

 

Për më tepër informacioni, ju lutemi kontaktoni në:

CRCA/ECPAT Shqipëri

e-mail; crca@crca.al

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL