8 Mars: E dhunuar seksualisht që 8 vjeç, pas 43 seancash gjyqësore ende në pritje të drejtësisë!

8 Mars: E dhunuar seksualisht që 8 vjeç, pas 43 seancash gjyqësore ende në pritje të drejtësisë!

CRCA/ECPAT Shqipëri: Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë duhet urgjentisht të monitorojnë të gjitha gjykimet e vajzave-viktima të krimeve seksuale!
Tiranë, 8 Mars 2021 – Dita Ndërkombëtare e Grave e gjen të miturën 12 vjeçare O.L në pritje të drejtësisë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastrës, ndërkohë që kanë kaluar 3 vjet dhe 43 seanca që prej fillimit të gjykimit. Ajo është një ndër të paktën 150 vajza e gra, që çdo vit i mbijetojnë krimeve seksuale dhe presin drejtësi, nga një sistem që arrin të dënojë vetëm 42% të krimeve seksuale! 
 
CRCA/ECPAT Shqipëri, këtë 8 Mars - në Ditën Ndërkombëtare të Grave, kishte zgjedhur të protestonte përpara Gjykatës së Gjirokastrës, nën moton “Drejtësi për çdo vajzë!”, për mungesën e dhënies së drejtësisë ndaj O.L, por Policia refuzoi të jepte leje për të kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve seksuale në Shqipëri, nën justifikimin e Covid!
 
Vajza ishte vetëm 8 vjeç kur u dhunua për 3 vjet rresht nga mësuesi i saj 63 vjeçar, rreth 6 vjet më parë. Ndërkohë që mësuesi vazhdon të jetë i lirë, të miturës O.L iu desh të ndryshonte shkollën dhe vendbanimin e saj, për të mos u përballur çdo ditë me abuzuesin e saj. Pas shumë përpjekjesh Bashkia Tepelenë ka bërë të mundur dhënien e një ndihme financiare modeste për të bërë të mundur shkollimin dhe kujdesin ndaj saj. Barnahus Shqipëri e ka mbështetur vajzën përgjatë të gjithë këtij kalvari të gjatë të përballjes me sistemin e drejtësisë.  
 
CRCA/ECPAT Shqipëri dhe BARNAHUS Shqipëri prej tashmë 2 vjetësh kanë shprehur dhe vijojnë të shprehin shqetësimin e tyre serioz, në lidhje me zvarritjen, jo vetëm të këtij procesi gjyqësor, por edhe thuajse të të gjitha proceseve që zhvillohen në vend, ku viktima të krimeve seksuale janë fëmijët dhe adoleshentët, mbi 80% e tyre vajza. 
 
Nisur nga kjo situatë e përsëritur, që i vendos fëmijët, më së shumti fëmijët-vajza në pritje të drejtësisë për krimet e kryera ndaj tyre, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe BARNAHUS Shqipëri, ju kërkon sot publikisht Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, monitorimin e çdo procesi gjyqësor të fëmijëve dhe adoleshentëve, viktima të dhunës seksuale kudo në Shqipëri.  
 
Në të njëjtën kohë ne kërkojmë hetimin në mënyrë serioze dhe të menjëhershme të çdo prokurori dhe gjykatësi, që tejkalon të gjitha afatet ligjore të hetimit dhe gjykimit, duke i ekspozuar fëmijët viktima përkundrejt dhunës psikologjike që zgjat për vite të tëra dhe që i dëmton ata çdo herë edhe më shumë! Është e padenjë dhe e papranueshme që sistemi i drejtësisë t’i trajtojë fëmijët dhe adoleshentët, viktima të dhunës seksuale, në këtë farë feje! Këto praktika duhet të ndalen urgjentisht! 
 

NE SOT KËRKOJMË “DREJTËSI PËR ÇDO VAJZË!”

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL