KËSHILLI PËR BASHKËPUNIMIN RAJONAL RREZIKON TË DËMTOJË SERIOZISHT FËMIJËT NË HAPËSIRËN DIXHITALE!

KËSHILLI PËR BASHKËPUNIMIN RAJONAL RREZIKON TË DËMTOJË SERIOZISHT FËMIJËT NË HAPËSIRËN DIXHITALE!

Vetëm për vitin 2020, mbi 107,000 fëmijë dhe adoleshentë ishin viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual në hapësirën dixhitale të Ballkanit Perëndimor! Me mijëra gra dhe persona që i përkasin minoriteteve, viktima të gjuhës së urrejtjes! Kush ka frikë të flasë mbi këto çështje në Samitin e përvitshëm të liderave për Dixhitalizimin e Ballkanit Perëndimor?

Drejtuar:           Znj. Majlinda BREGU

                             Sekretare e Përgjithshme e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim - RCC

 

E nderuar znj. Bregu,

 

CRCA/ECPAT Shqipëri, organizata më e madhe dhe më e vjetër e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, është seriozisht e shqetësuar se Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), një organizatë me reputacion kaq pozitiv, ka lënë në harresë mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në hapësirën dixhitale duke rrezikuar seriozisht të dëmtojë mirëqenien e tyre online.

Në ditët në vijim ju do të mikprisni kryeministra, ministra, bizneset dhe një sërë institucionesh në Samitin e 4-ët Digital të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të zhgënjyer që në tre samitet e mëparshme, si dhe në këtë të fundit, që mbahet nga datat 11-13 Shtator në Podgoricë, asnjëherë nuk është diskutuar sesi ndikon dixhitalizimi në mbrojtjen apo ekspozimin e fëmijëve dhe të rinjve ndaj krimeve seksuale, shfrytëzimit, trafikimit dhe krimeve dixhitale në tërësi!

Pavarësisht se ne besojmë se Samite të tilla janë tepër të nevoshjme për ndërlidhjen dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe krijimin e një tregu dixhital pan-Ballkanik, të gjithë jemi koshientë se kjo ndërlidhje nuk vjen pa pasoja, të cilat më së shumti dëmtojnë më të pambrojturit: fëmijët, gratë dhe minoritetet!

Nga një vëzhgim tepër i shpejtë i të dhënave për incidentet në hapësirën dixhitale në Ballkanin Perëndimor, në organizatën prestigjoze NCMEC në SHBA (National Center for Missing & Exploited Children) rezulton se vetëm gjatë vitit 2020 mbi 107,000 fëmijë dhe adoleshentë dyshohet se kanë qenë pre e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual online. Respektivisht, vendin e parë për numrin më të lartë të raportimeve e mban Serbia me 45.737 fëmijë, e ndjekur në vendin e dytë nga Shqipëria me 23.426 fëmijë, dhe më pas nga Maqedonia e Veriut (8.939 fëmijë), Mali i Zi (6.784 fëmijë) dhe Kosova me 1.229 fëmijë.

Krimet në hapësirën dixhitale të të gjitha formave, përfshi këtu edhe abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, gjuhën dhe krimet e urrejtjes ndaj grave e vajzave në internet, apo ndaj minoriteteve, nga viti në vit po shtohen në numër, duke u kthyer kështu në një ndër shqetësimet më serioze dhe kryesore për shoqëritë në vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë. Nga ana tjetër mos-pjesëmarrja në tryezën e diskutimeve sesi duhet të jetë arkitektura e sotme dhe e ardhshme dixhitale në vendet e Ballkanit Perëndimor, e viktimave të kësaj hapësire, krijon premisa që ajo të bëhet edhe më e pasigurt, më ndëshkuese dhe mbase edhe më kriminale.

  • Ne sot publikisht ju kërkojmë Ju dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që në Samitin e 4-ët të Dixhitalizimit, si dhe në çdo samit të ardhshëm, të diskutohet seriozisht, me pjesëmarrjen e grupimeve dhe organizatave që punojnë në mbrojtje të grupeve më të pambrojtura, mbi çështjen e risqeve dhe sigurisë në hapësiren dixhitale!
  • Ne ftojmë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të çojnë zërin e tyre në mbrojtjen, parandalimin dhe eleminimin e krimeve dixhitale ndaj fëmijëve, vajzave dhe grave, minoriteveve dhe grupeve më të pambrojtura, të cilët çdo ditë jetojnë një situatë pasigurie.

Të gjithë së bashku, jemi ende në kohë që t’i japim vlerë çdo shqetësimi që vjen nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e 4-ët të Dixhitalizimit të Ballkanit Perëndimor. Ne ftojmë RCC të tregojë lidership dhe pa frikë ta përfshijë këtë shqetësim kaq serioz, në diskutimet e Samitit dhe punës për avancimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

 

Në emër të CRCA/ECPAT Shqipëri

 

Altin Hazizaj

Drejtor Ekzekutiv

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL