
Ajo ishte vetëm 12 vjeç dhe kishte vite që dhunohej seksualisht nga bashkëshorti i nënës së saj 46 vjeçar.
16 vjeçarja kishte muaj të tërë që nuk i shkëputej dot kërcënimit të shokut të saj të klasës, se do ta tregonte videon që kishte realizuar me të dhe disa bashkëmoshatarë.
Vajza iu drejtua policisë për të denoncuar dhunën seksuale që kishte shumë kohë që e përjetonte. Çdo ditë kërcënohej nga komshiu i saj se nëse do ta denonconte, do ta pësonte shumë keq.
Këto pjesëza historish, nuk janëv etëm histori tëdhunës seksuale ndaj fëmijëve, por ato janë edhe pjesë të punës së përditshme të Barnahus Shqipëri: Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale, që në mëpak se dy vjet ka arritur që të shpëtojë rreth 31 fëmijë nga dhuna seksuale e ushtruar çdo ditë ndaj tyre. Falë ndihmës së ekipit të Barnahus fëmijët jo vetëm kanë denoncuar dhunuesin e tyre, por edhe kanë përfituar edhe ndihmën falas ligjore, psikologjike, arsimore, përfshi në disa raste edhe zhvendosjen e familjes në një mjedis më të sigurt.
“Përgjatë kësaj periudhe, kemi trajtuar 29 raste, tw rreth 31 fëmijëve të moshave nga 4-18 vjeç. Edhe pse raporti midis vajzave dhe djemve është shumë i madh, ajo që vlen të theksohet, është se një numër i konsiderueshëm i vajzave, 6 prej tyre, janë edhe viktima të mundshme të trafikimit dhe shfrytëzimit brenda dhe jashtë Shqipërisë, gjë që e bën edhe më komplekse ndjekjen e rasteve”- shprehet Klaudio Pulaha, Menaxher i Rasteve pranë Barnahus.
Barnahus njoftohet mbi rastet e dhunës seksuale, nga raportimet që vijnë pranë ALO 116-111, Policia e Prokuroria, Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve në 61 bashki të vendit si dhe nga Platforma Kombëtare ISIGURT.AL, e cila ka një rritje galopante të rasteve dhe raportimeve sidomos gjatë pandemisë. Vetwm nga muaji Janar 2020 deri më Nëntor të këtij viti, numri i faqeve pornografike të referuara është 6134, prej tyre 6057 pornografi me të mitur.
“Jemi duke komunikuar me disa prej kompanive globale në mënyrë që shërbimet tona të ofrohen edhe nëpërmjet chatit, aty ku janë fëmijët, pra në Facebook, Instagram, Youtube etj – që çdo formë e dhunës online të na raportohet menjëherë nga fëmijët, në mënyrë që ndjekja e dhunuesve të fëmijës të bëhet menjëherë sa ndodh krimi. Në këtë kuadër mbështetja qëi kemi dhënë ndryshimeve në Kodin Penal dhe krijimit të Regjistrit të të Dënuarve të Krimeve Seksuale, tregojnë magnitudën e problemeve me të cilat përballen fëmijët në Shqipëri.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i Përgjithshëm i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Përveç mbështetjes psikologjike për fëmijët, këshillim për familjarët e tyre, Barnahus, ofron edhe mbrojtje ligjore e përfaqësim në Gjykatë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes Ligjore për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri. Mbështetja përfshin edhe ofrimin e shërbimeve komunitare për fuqizimin e familjes, fuqizimin dhe punësimimin, shërbimet shëndetësore etj.
Barnahus Shqipëri u hap zyrtarisht në Tetor 2019, në kuadër të nismës “Mbro fëmijët dhe të rinjtë nga dhuna seksuale në Shqipëri” dhe është një ndër shërbimet kryesore për fëmijët e të rinjtë të ofruara nga CRCA/ECPAT Shqipëri.
CRCA prej 23 vitesh ka ngritur disa nga shërbimet më të domosdoshme në mbrojtje të fëmijëve dhe të të rinjve, dhe që prej vitit 2011 është liçensuar për të ofruar të tilla shërbime të specializuara në nivel komunitar dhe kombëtar.
Për më shumë informacion, kontakto:
Barnahus Shqipëri
Tel: 042265741
E-mail: aca@crca.al