Tiranë, 11 Shtator 2018 – Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), me mbështetjen e Global Campaign for Education, arrin suksesin e parë madhor të fushatës “6% për Arsimin”. Fushata e ACE që u hap në vitin 2016 kërkon që Qeveria Shqiptare të rrisë investimet në arsim, për ta bërë atë sa më cilësor dhe të akesueshëm për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët. Falë fushatës së ACE, duke filluar nga ky vit shkollor, rreth 190 mijë fëmijë – nxënës të ciklit fillor në arsimin publik të detyrueshëm, do t’i marrin tekstet falas, ndërkohë që Qeveria ka premtuar se brenda vitit 2021 të gjithë fëmijët do të përfitojnë tekste shkollore falas.
Ndonëse këto zhvillime janë tepër pozitive, përsëri buxheti i shtetit dhe investimet në arsimin publik parauniversitar në Shqipëri mbeten ende tepër të ulta. Krahasuar me mesataren e BE-së që është 5% e GDP-së, Shqipëria shpenzon vetëm 3% e GDP-së për arsimin
Avokimi i Koalicionit për Arsimin në Shqipëri ka përfshirë edhe shumë fusha të tjera të arsimit. Që prej vitit 2014 ACE bëri publike kërkesën për sigurimin e mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara, kërkesë kjo e cila nga viti në vit rezultoi me përfshirjen për herë të parë në arsimin e detyrueshëm të 310 mësuesve ndihmës. Kjo masë dha ndikimin në përfshirjen në arsim të rreth 4000 fëmijëve më aftësi të kufizuara.
Gjatë vitit 2017 ACE dhe anëtarët e saj avokuan për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës, i cili në këtë fillim-shkolle do të dyfishohet, duke u shtuar me 350 mësues të rinj. Kjo ndikon shumë pozitivisht në arsimimin dhe trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që ndjekin arsimin e detyrueshëm publik. Megjithatë mbetet ende për të bërë, pasi të dhënat tregojnë se rreth 64% e fëmijëvë më aftësi të kufizuar nuk e ndjekin arsimin.
Ndërkohë ACE ka avokuar gjithashtu pranë komisioneve parlamentare si dhe përmes seancave dëgjimore me Ministrinë e Arsimit, për rritjen e numrit të punonjësve psiko-socialë pranë çdo shkolle. Aktualisht në 1600 institucione publike arsimore parauniversitare në Shqipëri, ushtrojnë profesionin e tyre vetëm 347 psikologë, që nënkupton se një psikolog duhet të mbulojë me shërbim rreth 4-5 shkolla publike në vend. Raporti i përbashkët i ACE me Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë (ALO 116) ndau shqetësimin se rreth 30% e nxënësve nuk kanë ende informacion rreth rolit të psikologut dhe funksionit që luan ai në shkolla ndërsa nxënësit në 20% të shkollave nuk e njihnin aspak psikologun e tyre. Mbi 40% e fëmijëve në arsimin e detyrueshëm raportojnë se janë viktima të dhunës në shkollë. Përballë kësaj situate, premtimi i përfaqësuesve të arsimit për dyfishimin e numrit të punonjësve psiko-socialë në arsimin publilkl, sjell një tjetër rezultat të rëndësishëm të punës dhe kërkesave të ACE në gjithë këto vite.
ACE do të vijojë avokimin e saj për rritjen deri në 6% të GDP-së së Shqipërisë të investohet për arsimin. Kjo që do të siguronte arsim publik cilësor dhe pa pagesë, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, laboratorë, klasa, palestra dhe biblioteka cilësore për fëmijët dhe të rinjtë, rritje të cilësisë së mësimdhënies, këshillimit efektiv të karrierës si dhe mbështetje psiko-sociale për fëmijët dhe të rinjtë në mbarë vendin.