Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri kërkon konsultim të menjëhershëm të projekt-vendimit të Këshillit të Ministrave për Kartën e Studentit!

Tiranë, 20 Dhjetor 2018 – Pas deklaratave më të fundit të Kryeministrit për përgatitjen me urgjencë të një projekt-vendimi për Kartën e Studentit, Rrjeti Kombëtar i të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) shpreh shqetësimin e tij të thellë mbi mungesën e plotë të konsultimit me studentët, të rinjtë, këshillat studentorë si dhe organizatat rinore të shoqërisë civile. Ky projekt-vendim i përgatitur në fshehtësi të plotë, pa informuar të rinjtë dhe pa u konsultuar me ta, vjen në një moment kur dialogu premtohet çdo ditë me dhe për studentët!
Mbi 210 mijë studentë dhe gjimnazistë në të gjithë vendin, prej vitesh vazhdojnë të mos kenë mundësinë e pajisjes së tyre me Kartën e Studentit apo Rinore, nga e cila do të përfitonin ulje në çmime në transport, libra, veshje, telekomunikacion, kancelari, kinema, muze, teatër dhe shërbime të tjera. Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë është shprehur se qeveria ka bërë gati në një kohë rekord projekt-vendimin për Kartën e Studentit bazuar në atë të modelit Francez.
Ndërkohë, në dijeninë tonë, përgjatë këtyre ditëve asnjë nga organizatat studentore dhe rinore nuk kanë marrë asnjë ftesë për t’u konsultuar për këtë projekt-vendim, si dhe nuk ju është kërkuar asnjë mendim për përgatitjen e tij duke e kthyer këtë proces të njëanshëm dhe pa pjesëmarrje.
ANYN mendon se një projekt-vendim i një rëndësie kaq të madhe për studentët dhe të rinjtë, nuk mund të përgatitet dhe nuk mund të diskutohet në Qeveri, pa u konsultuar me studentët, grupet rinore, organizatat e studentëve dhe të të rinjve, ashtu siç është vepruar me Ligjin e Arsimit të Lartë por edhe me Projekt-Ligjin për Rininë! Rrjeti Kombëtar i të Rinjve (ANYN) i bën thirrje Kryeministrit, se nuk mund të vazhdohet më pa konsultime në vendim-marrje për çështje që prekin drejtpërdrejt të rinjtë, qofshin këta studentë, gjimnazistë etj!
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) që prej vitit 2012 në bashkëpunim me organizatat rinore dhe studentore kanë ngritur në vazhdimësi zërin për pajisjen e të gjithë studentëve dhe gjimnazistëve me Kartën e Studentit ose Rinore.
ANYN është një rrjet rinor i përbërë nga përfaqësues të mbi 60 grupeve e organizatave rinore të shoqërisë civile në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe nga përfaqësues të 11-të forumeve politike të të rinjve dhe i krijuar në vitin 2012. Qëllimi i ANYN është promovimi i drejtave të të rinjve dhe çështjeve rinore, në nivel lokal dhe kombëtar; rritja e angazhimit/ përfaqësimit të të rinjve në të gjitha fazat e vendimmarrjes e hartimit të politikave për të rinjtë, si dhe nxitja e krijimit të politikave, ligjeve dhe programeve për mbështetjen e të rinjve në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni në: info@anyn.al


Detajet e Lajmit
December 20, 2018
337
Kategoria