
Tiranë 14 Maj 2018 – Ambasada PINK dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut hapën sot në mëngjes siparin e aktiviteteve dhe nismave në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, me Festivalin e 9-të të Diversitetit për të Drejtat LGBTI në Shqipëri!
Festivali i Diversitetit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin LGBTI në Shqipëri, pasi përgjatë një jave sillet në vëmendjen e institucioneve publike, shoqërisë, deputetëve etj, nevoja për të nxitur arritjen e barazisë dhe për të respektuar diversitetin e komunitetit LGBTI në Shqipëri.
Festivali do të nisë me ngritjen e flamurit LGBTI në qendër të Tiranës. Aktiviteti do të organizohet në bashkëpunim me Bashkinë e kryeqytetit, anëtarët e komunitetit, partnerët, miqtë dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës. Më pas do të vijohet me takime me deputetët e Parlamentit Shqiptar, për t’u prezantuar draftin e projektligjit “Për Njohjen e Identitetit Gjinor”.
Më datë 17 Maj, për herë të parë do të bëhet publik Raporti Monitorues mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për personat LGBTI në Republikën e Shqipërisë për vitet 2016-2020. Po në të njëjtin event do të ndahen edhe vlerësimet kombëtare nga Ambasada PINK, për “30 Personat e Vitit”, një event që tashmë ka hyrë në historinë e Festivalit të Diversitetit në Shqipëri që prej 4 vitesh. Janë përzgjedhur të gjithë ata individë që kanë kontribuar për avancimin e të Drejtave LGBT në vendin tonë.
Festivali i Diversitetit për herë të parë do të hapë këtë javë fushatën publike për barazi në martesë në Shqipëri, e cila mbështetet nga Ambasada PINK, Rrjeti Kombëtar Shqiptar për të Drejtat LGBTI dhe OShC-të më të rëndësishme në Shqipëri. Ndërkohë që javën e ardhshme me mbështetjen e Ambasadës Amerikane dhe Ministrisë së Arsimit do të prezantohen gjetjet e studit mbi perceptimin e mësuesve ndaj adoleshentëve LGBTI në arsimin publik në Shqipëri.
Veçanti e Festivalit do të jetë edhe ekspozita me foto “Të jesh Trans në Shqipëri”. Fotot do të sjellin realitetin e personave transgjinore në Shqipëri, me të gjitha problematikat e tyre dhe se si duhet të jenë ata realisht.
11 vjet më parë në Shqipëri filloi një lëvizje e re për të drejtat e personave LGBTI, kur në atë kohë quhej ende herezi. Diskutimi i parë publik u organizua me mbështetje të madhe nga organizatat kryesore të të drejtave të njeriut si CRCA Shqipëri, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut dhe Qendra për Iniciativa Ligjore dhe Qytetare. Më pas nisi fushata e !-rë Kombëtare në mbështetje të të drejtave të barabarta për personat LGBTI në Shqipëri.
Ndërsa Ambasada Pink që u krijua në vitin 2010, organizuan pa frikë Festivalin e 1 të Diversitetit, një event ky i ndjekur në vite dhe më pas edhe nga Marshimet e Krenarisë të përvitshme.