Tiranë, 13 Qershor – ALO 116 – Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë dhe Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri (ACCE)dhuroi sot në mesditë ndihma dhe pako me ushqime për 25 fëmijët e qendrës zhvillimore “Shtëpia e Kuqe”, e cila ofron trajtim për fëmijët me aftësi të kufizuar. Kjo nismë është në vijimësinë e iniciativave që ALO 116 ndërmer për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve dhe për të ndërgjegjësuar institucionet dhe aktorët politikë për rëndësinë jetike që ka mbështetja e fëmijëve që jetojnë në situata të vështira.
Fondet e mbledhura në panairin  “Gjithçka për Fëmijët” ku ALO 116 dhe ACCE morën pjesë, u përdorën për të ndihmuar 25 fëmijët e qendrës zhvillimore “Shtëpia e Kuqe”. Ky panair u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve në 1 Qershor.
ALO 116 ishte e pranishme në këtë panair për të promovuar shërbimet e saj dhe shpërndarë materiale ndërgjegjësuese për fëmijët dhe prindërit që vizituan panairin. Gjatë ditëve të panairit u vunë në shitje për fëmijët dhe prindërit bluza, çanta, kapele, kartolina, stilolapsa me logon e ALO 116.
ALO 116 është e vetmja linjë këshillimi për fëmijët në Shqipëri, i cili është në ndihmë të gjithë fëmijëve anembanë vendit dhe që funksionon falas, 24 orë në ditë në 7 ditë të javës, nëpërmjet dy numrave të telefonit: 116-111 (Telefoni i Ndihmës për Fëmijët) dhe 116-000 (Telefoni për Fëmijët e Humbur në Shqipëri).


Detajet e Lajmit
June 13, 2014
301
Kategoria