Tiranë 19 Qershor – ALO 116 Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët organizoi një ditë të hapur në kuadër të 5 Vjetorit të saj. Kjo ditë e hapur mirëpriti përfaqësues të institucioneve publike, ndërkombëtar dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim prezantimin e 5 viteve punë të ALO 116 në ofrimin e shërbimeve të ndihmës, referimit dhe këshillimit për fëmijët.
Në këto 5 Vjet ALO 116 ka ofruar shërbimet e saj duke ndihmuar, informuar dhe orientuar nevojat e fëmijëve dhe adoleshentëve anembanë vëndit. ALO 116 është shërbim kombëtar që i përgjigjet nevojave të fëmijëve 24/7 ditë të javës, pa pagesë si dhe garanton ndihmën dhe mbështetjen e kerkuar sa here ata kanë nevojë. ALO 116 është një pike kyçe e sistemit të referimit për shërbimet e fëmijëve në vend.
Që prej vitit 2009, mbi 530,585 fëmijë në Shqipëri kanë telefonuar pranë Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijët në Shqipëri për të kërkuar ndihmë, informacion dhe shërbime. Mbi 13.112 fëmijë kanë marrë ndihmë direkte dhe janë trajtuar nga shërbimet publike dhe private nëpërmjet ndihmës së Linjës së Fëmijëve.
Ky shërbim unik është fryt i mbështetjes së vazhdueshme të UNICEF dhe CRCA Shqipëri. ALO 116 është një shembull i mirë dhe praktikë e sukseshme se si kompanitë e telefonisë bëhen bashkë në mbështetje të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve.
Kjo ditë e hapur u konceptua në tre panele kryesore: Panelin e të Dhënave, Arritjeve dhe Sfidave e prezantuan dy fëmijë të Bordit të Fëmijëve ALO 116; Paneli “Unë Blej ALO 116”, ku çdo pjesmarrës kishte mundësi që të blente dhurata me logon e ALO 116 dhe Ekspozita “Çdo fëmijë Rom në Kopësht” dedikuar të drejtave të fëmijëve.
ALO 116 do të bëj të mundur që zëri I fëmijëve të dëgjohet, mbi ato gjëra që ata mendojnë se i shqetësojnë më shumë, mbi atë që ata kanë nevojë të marrin më shumë kujdes, mbi ato raste që ata kërkojnë ndihmë.