Raporti Tematik i Linjës Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët, tregon se fëmijët vajza dhunohen nga familja apo shokët që në moshë të hershme!
Tiranë, 4 Dhjetor 2013 – ALO 116: Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët,në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, bën publik sot këtë Raport Tematik, i cili pasqyron dhunën ndaj fëmijëve vajza në Shqipëri, bazuar tek telefonatat dhe rastet e trajtuara gjatë një periudhe 4 vjeçare në ALO 116. Konkuzioni kryesor i raportit është se dhuna ndaj grave e vajzave nuk fillon kur ato janë të rritura, por ajo e ka gjenezën e saj shumë më herët, që në vitet e para të jetës së tyre.
Shumë njerëz besojnë se dhuna me bazë gjinore është një çështje “private” që nuk duhet diskutuar publikisht. Brenda familjes, vajzat shpesh nuk shihen si të barabarta. Fëmijët vajza telefonojnë pranë ALO 116 për të ndarë përjetimet e tyre të dhunës dhe mënyrat sesi ato veçohen apo trajtohen ndryshe krahasuar me fëmijët djem.
Shpesh herë vajzat raportojnë se ato detyrohen të kryejë punë shtëpie, të rrisin vëllezërit ose motrat më të vegjël. Ato jo rrallë herë ndërpresin studimet për shkak të gjinisë së tyre, dhe si pasojë i detyrojnë të fejohen dhe të martohen që në moshë shumë të vogël. Marrëdhëniet vëllazërore gjithashtu janë një tjetër element që tregon se meshkujt në familje kanë një status më të lartë dhe më shumë të drejta përkundrejt vajzave. Ata shpesh abuzojnë fizikisht motrat e tyre me pretendimin se janë djem dhe se fjala e tyre ka më teper rënëdësi dhe duhet respektuar.
Studimi epidemiologjik B.E.C.A.N i cili u zbatua nё nёntё vende tё rajonit tё Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, hartёzon shkallёn e veprimit dhe pёrhapjen e keqtrajtimit nё popullsinё e pёrgjithshme tё fёmijёve nga mosha 11 deri nё moshёn 16 vjeçare. Nga ky studim del ne pah se vajzat raportojnё dhunё psikologjike mё tё lartё sesa djemtё, (70% prevalencё/63% incidencё) ndёrkohё qё djemtё raportojnё (67% prevalencё dhe 60% incidencё). Nё lidhje me ndjesinё e neglizhencёs raportohet mё shumё tek vajzat sesa tek djemtё. Prevalenca tek vajzat ёshtё 31% ndёrkohё qё raportohen vetёm 20% tek djemtё. Ndёrkohё qё incidenca ёshtё 27% tek vajzat dhe 16% tek djemtё.
Dhuna me bazë gjinore është një epidemi globale. Ne shpresojmë që ky raport të sjellë sado pak në vemendjen e medias, institucioneve dhe shoqërisë civile çështjen e fëmijëve vajza, të cilat nuk përmenden shpesh në politikat shtetërore, pavarësisht nevojës për mbrojtje të veçantë që ato kanë.


Detajet e Lajmit
December 4, 2013
215
Kategoria